E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buharaha dhe Firdusiu, buste në Berat



Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së studiuesit, përkthyesit Vexhi Buharaja, personalitet i kulturës shqiptare dhe 1000 -vjetorit të botimit të kryeveprës botërore, “Shah-Name-së”, Bashkia e qytetit Berat, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” dhe Biblioteka “Vexhi Buharaja” organizuan dje në Berat konferencën shkencore “Shah-Name-ja në shqip dhe Vexhi Buharaja”. Viti 2010 është shpallur nga UNESKO si vit i afrimit të kulturave dhe, njëkohësisht shënimi i datës 16 mars 2010 si “Mijëvjeçari i Shahnamesë së Firdeusit”, një nga tre veprat më të shquara në botë. Me këtë rast bashkë me konferencën shkencore në Berat Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” shfaqi një film dokumentar rreth 25 minuta për jetën e Vexhi Buharasë dhe përkthimin e tij nga gjuha perse në gjuhën shqipe të librit të famshëm “Shahname”, cilësuar si një nga kryeveprat e letërsisë botërore, por që fatkeqësisht në të gjallë, nuk mori nderimin që meritonte. Po ashtu, fondacioni promovoi dhe dorëzoi pranë bashkisë dy buste: të Vexhi Buharasë dhe poetit pers Firdeusi, realizuar me mjeshtëri nga prof. Sadik Spahija, Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura në Akademinë e Arteve. Bustet do të vendosen para bibliotekës që mban emrin e Vexhi Burarasë në qytetin e tij të lindjes. Drejtori i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” z. Shahrouz Falahatpisheh ka sjelle nga toka e Firdeusit, Irani dy trëndafila që do të mbillen në varrin e Vexhi Buharasë, për të nderuar këtë personalitet të kulturës shqiptare dhe ikonë e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve. Në konferencën shkencore, pas përshëndetjeve të rastit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë, dhe Sporteve, nga z. Fadil Nasufi, Kryetar i Bashkisë së Beratit, z. Arben Jaupaj, drejtor i Bibliotekës “Vexhi Buharaja”; z. Shahrouz Falahatpisheh - Drejtor i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi”, u mbajtën disa kumtesa nga studiues të njohur si Shaban Sinani, Gazmend Shpuza, Eldon Gjika, Jorgo Bulo, Ermir Nika, etj. Ata sjellin edhe njëherë vlerat që përcjell vepra e poetit pers e më së shumti përkthimi në shqip nga Vexhi Buharaja. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›