Ministria e Brendshme, kallëzim penal PS për kartat e indentitetit
Ministria e Brendshme bën kallëzim penal ndaj PS-së për falsifikim të dokumenteve të identifikimit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri të ditur dje se është ndërmarr kallëzimi për ushtrimin e veprave penale ndaj PS për “Falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave” dhe të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të Kodit Penal, duke kapur në total nëntë vite burgim. “Duke qenë se evidentohen apo ravijëzohen mjaft qartë elementët e veprës penale, Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale, në përputhje me nenet 153 e në vijim (dëshmia) dhe nenin 280 e në vijim (Marrja dijeni për veprën penale) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë”, tha Poni. Zëvendësministri Poni shtoi se “për sa më sipër, duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti të standardeve evropiane të një cilësie dhe sigurie të lartë, duke reflektuar besueshmëri te partnerët evropianë, si dhe te qytetarët shqiptarë, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen, kërkuam regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen”. Në seancën e 4 marsit, kreu i grupit të PS-së, Ruçi, paraqiti disa karta që sipas tij janë prodhuar në disa kopje për t’u përdorur në zgjedhjet e 28 qershorit, që sipas tij janë pjesë e manipulimit të zgjedhjeve.