E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, liberaldemokratët mbështesin PS për hetimin e zgjedhjeve



Liberaldemokratët evropianë mbështesin Partinë Socialiste për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Zëdhënësja e grupi parlamentar, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, Marietje Schaake, kërkoi respektimin e standardeve evropiane nga forcat politike shqiptare, në të cilat përfshihet dhe transparenca e zgjedhjeve. “Unë inkurajoj të gjitha partitë politike në Shqipëri të veprojnë në mbështetje të standardeve evropiane. Transparenca është veçanërisht e rëndësishme për të ndërtuar besim në institucionet shqiptare, ndërkohë që institucionet dhe stabiliteti janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik”, deklaron Marietje Schaake, zëdhënëse e grupit Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën. Ajo u shpreh se “pres që Qeveria shqiptare të nisë menjëherë një hetim serioz mbi manipulimet e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të mund të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare demokratike”. Marietje Schaake do të krijojë një delegacion ad hoc, në emër të grupit parlamentar liberal dhe do të kërkojë të vizitojë Shqipërinë përpara përfundimit të sesionit të verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›