Buhler nderohet me medaljen “Shërbim i shquar”

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) organizoi të mërkurën një ceremoni ushtarake-lamtumirëse, me rastin e kryerjes së detyrës të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Erhard Buhler dhe largimit të tij nga Kosova.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Buhler, komandanti i Komandës së Forcës Tokësore, gjeneralmajor Rrahman Rama, ambasadorë të huaj të akredituar në Prishtinë, etj.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku falënderoi gjeneral major Buhler për angazhimin dhe kontributin e tij në bashkëpunimin dhe koordinimin për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe në përgjithësi për kontributin e tij dhënë ndërtimin të paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Po ashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi theksoi fuqishëm, që misioni i gjeneralit Buhler në krye të KFOR-it në Kosovë ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. Ai ka vlerësuar se gjeneral Buhleri ka lënë pas një FSK të vetë-qëndrueshme me aftësi dhe me kapacitete për të përmbushur misionin për të siguruar popullin dhe shtetin e Kosovës.
Ndërsa, komandanti i KFOR-it në largim, gjeneral major Erhard Buhler i dëshiroi FSK-së të vazhdojë me përkushtim dhe krenari që të kontribuojë për popullin e Kosovës. Ai po ashtu siguroi se, KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë FSK-në në rrugën drejt ndërtimit të një force moderne, funksionale dhe shumetnike, e cila do të kontribuojë për një Ballkan të sigurt dhe stabil.
Ministri Çeku me motivacion për kontributin dhe angazhimin e dhënë në ruajtjen e paqes në Kosovë, krijimin e një ambienti të sigurt dhe mbështetjen e vazhdueshme Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndau medaljen “Shërbim i shquar”, gjeneralit Erhard Buhler, medaljen “Shërbim meritor” zëvendëskomandantit të KFOR-it, gjeneral brigade Marko Serronha dhe shefit të MCA-së, gjeneral brigade Enriko Spagnoli.