Përçahet opozita shqiptare?
Kursi i ri politik, i shpallur nga Partia Socialiste, ka lënë të pakënaqur një pjesë të mirë të aleatëve të saj. Pakënaqësi, që deri para pak ditësh, janë shprehur nëpër komunikimet mediale, por që nga dita e martë ato janë shfaqur edhe në formën e refuzimit që kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ai i PBDNJ, Vangjel Dule, dhe kreu i PLiDr, Spartak Ngjela, i kanë bërë ftesës së Edi Ramës për një drekë pune.
Asnjëri nga tri aleatët e PS’së nuk ka marrë pjesë në drekën e shtruar nga kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama, në një nga restorantet afër Kullave Binjake, në bulevardin kryesor të Tiranës. Rama kështu mbeti vetëm në shoqëri të disa prej aleatëve të tjerë, si kryetari i PDS, Paskal Milo, ai PSV91 Petro Koçi, ai PDK, Nard Ndoka dhe të Preç Zogajt.
Dreka në fakt ishte një përpjekje e Ramës për të zbutur qëndrimet e aleatëve dhe për të riorganizuar koalicionin opozitar në sezonin e ri politik.