Buja: Mësimi plotësues i diasporës duhet të institucionalizohet
Diaspora ka nevojë për mësues të përkushtuar, të trajnuar dhe që janë të gatshëm ta avancojnë mësimin e gjuhës shqipe në nivel sa më të lartë, pasi që një pjesë e mërgimtarëve po tretet duke harruar gjuhën shqipe, thanë panelistët në seminarin e shtatë mbarëkombëtar me mësuesit e shkollës shqipe në diasporë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka thënë se diaspora përfshin një të katërtën e qytetarëve të vendit tonë dhe një pjesë të madhe e përbëjnë fëmijët dhe të rinjtë e moshës së detyrueshme për arsim. Ai ka përkujtuar se që nga viti 2004 MASHT-i është duke mbështetur diasporën me mësim plotësues në gjuhën amtare.
“Diçka që ka filluar si pikë e radhës është përpjekja shumë insistuese që ky mësim plotësues në diasporë të institucionalizohet dhe shtetëzohet se tani më kemi Republikën e Kosovë dhe më nuk duam ta lëmë, jo pse nuk e kanë bërë dhe nuk e kemi bërë mirë në vende të ndryshme, por tani më duhet kjo të institucionalizohet dhe kjo ka filluar me Zvicrën”, ka thënë Buja.
Ndërkaq, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se mërgata vazhdon të dëshmojë gatishmërinë për ruajtjen e së drejtës themelore njerëzore që është ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar.
“Diaspora ka nevojë për mësues të përkushtuar, të trajnuar dhe mësues që janë të gatshëm ta avancojnë mësimin e gjuhës shqipe në nivel sa më të lartë dhe ky seminar pa dyshim është një rast i mirë për të reflektuar dhe kuptuar lidhjen e fuqishme të një populli të ndarë në dy pjesë”, ka thënë Makolli.
Kurse, mësuesja Nexhmie Mehmeti ka thënë se ky seminar mbështet punën e mësuesit që drejtpërsëdrejti shërben në ruajtjen e identitetit kombëtar të fëmijëve shqiptarë në diasporë.
“Shqiptarët në mërgim dalëngadalë po mësojnë njërën nga këto dy fate, një pjesë po tretet duke harruar gjuhën shqipe, një tjetër pavarësisht nga pësimet arritën të krijojnë qendrat e tyre kompakte shqiptare dhe shkollën e mësimit plotësuese të gjuhës shqipe”, ka thënë Mehmeti.
Seminari i shtatë mbarëkombëtar me mësuesit e shkollës shqipe në diasporë do të zgjasë deri më 5 gusht. /kp/