Bujar Alimani: “Amnistia”, një film larg kallëpeve
Alma Mile
Qëlloi me fat filmi i Alimanit. I pari projekt shqiptar që aplikon pranë Fondit të Këshillit të Evropës, për kinematografinë, "Eurimages", arrin të marrë 120 mijë euro. Por nuk është thjesht dhe vetëm mbështetje financiare. "Eurimages" është një markë, një garanci për jetën e filmit. Regjisori Bujar Alimani tregon mbi projektin e tij filmik, të titulluar "Amnistia", çfarë e bëri atë fitues. Një histori e pamundur dashurie, që zhvillohet mes Tiranës e Pogradecit e ku interpretojnë aktorët Karafil Shena dhe Ornela Kapedani.
Kur drejtori ekzekutiv i "Eurimages", Roberto Olla, erdhi në Tiranë, tha se, që një projekt të jetë fitues, duhet të trajtojë një histori të fortë, cila është historia e "Amnistisë"?
"Amnistia" është një skenar kinematografik, që trajton një temë sociale, në të cilën gërshetohen gradualisht edhe linjat e një marrëdhënieje midis dy njerëzve, që jetojnë në Shqipëri, një burri e një gruaje. Janë dy njerëz, të cilët nuk kanë asnjë arsye për të qenë bashkë e njëkohësisht të gjitha arsyet që të jenë bashkë. Të dy bartës të një marrëdhënieje të jashtëligjshme, bartës të problemeve shoqërore, karaktere që çojnë deri në një pikë linjën e veprimeve e mandej dorëzohen... E aty ku e lë njeri, e merr në dorë tjetri e kështu me radhë..., pambarimisht. Janë karaktere që përpiqen, kundër rrjedhës së përgjithshme të gjërave, të krijojnë planetin e tyre. Me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje. Skenari gjithashtu mpleks probleme sociale, siç është përballja e të vegjëlve me monopolin e kapitalizmit dhe kontradikta midis tyre, një fenomen që kaloi dhe kalon vendi. Pikërisht personazhet e "Amnistisë" enden në këtë sfond politiko-social.
Ku vendosen ngjarjet e filmit?
Shkrimi i skenarit është bërë me fokus qytetin e Pogradecit dhe Tiranën, Liqenet e Ohrit dhe Prespës si dhe Burgjet e Tiranës. Këto janë kryesisht vendet e veprimit.
Filmi juaj është projekti i parë shqiptar që fiton mbështetjen e "Eurimages" (që nuk do të thotë vetëm para), në 8 muaj anëtarësim të Shqipërisë në të...
Paraqitja në "Eurimages" ishte një sfidë ndoshta edhe më e madhe sesa fitorja e projektit, sepse paraqitja kërkonte një përgatitje të jashtëzakonshme e të përpiktë, si nga ana e dokumentacionit teknik, po aq edhe nga ana artistike e profesionale. Marrëdhënia e shkëlqyer dhe produktive midis tre Shtëpive Filmike "90 Production" (Shqipëri), "Fantasia Audiovisual" (Greqi) dhe"Arrizona Films" (Francë) ishte gjithashtu thelbi i suksesit dhe shpresoj të vijojmë në një bashkëprodhim më të ngushtë për prodhimin e filmit, e më vonë edhe shitjen dhe shpërndarjen e tij në Evropë. Gjithsesi aprovimi i projektit nga Bordi Qendror i "Eurimages" me shumën prej 120.000 euro është një sukses, jo vetëm për mua, por edhe për vendin dhe kinemanë tonë dhe këtë e shpreh sinqerisht me modestinë më të madhe, sepse ajo që më intereson në këto momente është si do vijojë me tej prodhimi i filmit. Gjithsesi nuk mund të mos falënderoj personalisht për këtë sukses mbështetësit në "Eurimages" të projektit tim, z. Xhevdet Feri, me të cilin kam bashkëpunuar, pasi i njihte mirë strukturat e këtij Institucioni, si dhe kërkesat mbi dokumentacionin, e gjithashtu kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë z. Artan Minarolli, i cili së bashku me z. Roland Sejko mbrojtën dhe garantuan realizimin e projektit "Amnistia" në mbledhjen e radhës të "Eurimages" në Stamboll, në 14-17 mars.
Keni realizuar disa filma të shkurtër, ç'ju shtyu tek i gjati?
Kalimi nga metrazhi i shkurtër në filmin e gjatë për mua u kurorëzua në këtë mënyrë e kjo më bën më tepër se të lumtur të qetë, sepse mesa duket kam në duar një skenar të mirë, të cilit i besuan specialistë huaj të fushës së skenarit, me përvojë të jashtëzakonshme. Dhe obligimi im për ta bërë një film të arrirë është edhe i madh edhe shqetësues.
çfarë e bën një projekt fitues, jo thjesht financiarisht, por edhe goditës?
Personalisht mendoj se e vetmja hapësirë, ku mund të dalim është jo bashkëprodhimi si koncept, por bashkëprodhimi si nevojë dhe realitet. E kjo nuk vlen vetëm për kinemanë tonë, por është një problem i përgjithshëm i kinemasë evropiane ose i kinematografisë së vendeve të vogla. Dhe se kërkimi i historive që kanë brenda palcën e vërtetë dhe jo spektakolare, jo shkëlqimin e momentit, por gjurmët që mbeten, histori në të cilat regjisori ose skenaristi më parë se t'i shfrytëzojë duhet t'i dhëmbin, ky është aksi qendror i ideologjisë, në të cilën duhet të mbështetet një krijues. "Amnistia" do jetë e tillë, që nga shkrimi i skenarit, në formën kinematografike të xhirimit, dhe sigurisht te aktrimi.
Meqë jemi tek aktrimi, ç'mund të na thoni për kastin e aktorëve?
Aktorët do jenë ata që spektatori shqiptar nuk i ka parë deri më sot. Dhe këtë nuk e bëj për kundërshti stili, si qëllim në vetvete. Kam bindjen se ka brilante në Shqipëri të pashfrytëzuara në fushën e aktrimit. "Amnistia" do jetë larg kallëpeve të deritanishme dhe standardeve, prej të cilëve çuditërisht regjisorët shqiptarë nuk po shkëputen dot, e tek e fundit është një provë personale e imja për të sjellë freski dhe portrete të rinj në filmin tim.