Furrat e bukës, premio speciale për Memellin
Një grup bukëpjekësish në qytetin e Vlorës kanë vendosur një shpërblim special për sulmuesin e Flamurtarit, Migen Memelli, në rast se ky i fundit shënon një gol ndaj Tiranës. Kjo nismë është marrë për të motivuar edhe më shumë sulmuesin, pas shigjetimeve në media që i ka bërë mbrojtësi i Tiranës, Tefik Osmani, i cili e pati etiketuar si furrxhi. "Memelli, në respekt të punës dhe traditës së babait të vet, ka nderuar zanatin e bukëpjekësit dhe ne për këtë i jemi mirënjohës. I bëjmë thirrje të gjithë opinionit sportdashës në Vlorë që ta mbështesin lojën e Memellit, të dielën përballë Tiranës. Shpresojmë që ai të shënojë dhe në këtë rast, nga ne do të ketë një shpërblim të majmë", thuhet në iniciativën e bukëpjekësve.