Rrogat, "peng" të Dimrajt
Leonard Karaj
Bardheblutë kanë mbetur pa u paguar prej dy muajsh. Arsyeja: mungesa e shefit të klubit Rauf Dimraj në Tiranë ka sjellë edhe mos pagimin e rrogave. Dimraj ndodhet prej disa ditësh jashtë shtetit për një problem familjar ndaj edhe kalimi i pagave (duhet të ishin bërë që në datë 10 të këtij muaji) në llogaritë e futbollistëve nuk është bërë ende. Në klub pohojnë ngërçin e mësipërm dhe sqarojnë se kjo ka ardhur si pasojë jo vetëm e mungesës së Dimrajt por edhe e bllokimit të një pjese të konsiderueshme të parave të këtij klubi në Federatën Shqiptare të Futbollit. Tirana duhet të marrë nga arka (të ardhura këto që vijnë nga fitimi i titullit kampion sezonin e kaluar dhe pjesëmarrjes në Kupat e Evropës) e FSHF-së edhe 210 mijë euro, të cilat nuk kanë kaluar ende në llogarinë e klubit.
Ndërkohë Drejtori Teknik, Alban Tafaj konfirmon se përgjegjës për këtë amulli është vetëm shefi i klubit. Sipas Tafajt, Dimraj nuk ka nënshkruar kalimin e parave nga FSHF-ja te Tirana. "është e vërtetë që lojtarët e Tiranës nuk paguhen që prej muajit dhjetor. Por, dua të sqaroj gjithë opinion publik se për këtë gjë nuk mban përgjegjësi presidenti i klubit, Refik Halili. Ai ka paguar një për një të gjithë lojtarët deri në muajin dhjetor, ndërsa siç ka qenë e nënshkruar në marrëveshje me shefin e klubit, pjesa e premiove që ka marrë Tirana nga kompeticione të ndryshme, do të shërbente për të paguar lojtarët në muajt në vijim. Bëhet fjalë për një shifër prej më shumë se 200 mijë eurosh, të cilat mbahen peng nga ana e Rauf Dimrajt. Duhet pikërisht firma e këtij të fundit që ato para të kalojnë tek lojtarët", pohoi drejtori teknik i Tiranës, Alban Tafaj.
Më tej drejtori Teknik pohoi se veprimi i Dimrajt për të mos firmosur kalimin e parave është i papërgjegjshëm dhe i pa-ligjshëm. Ai u shpreh se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu dhe nëse Dimraj nuk ndryshon qëndrim do të mblidhet kryesia dhe do të kërkojë votëbesimin e tij. Ndërkohë, Tafaj tha se Dimraj nuk firmos për kalimin e parave për shkak të dështimit të objektivave nga ana e ekipit. "Veprimi i Rauf Dimrajt është i palogjikshëm dhe i paligjshëm, pasi po mban peng ekipin. Nëse nuk ndryshon qëndrim për të kaluar paratë te lojtarët, atëherë do të kërkojmë mbledhjen e kryesisë, për të bërë votbesimin e Dimrajt. është e vërtetë që ekipi ka dështuar në objektivat e vëna në qëllim të kampionatit, por kjo nuk do të thotë që ne të mos paguajmë lojtarët tanë, duke shkelur kontratat", tha Tafaj.
Superliga
Sot, ora 14:00
Kastrioti-Besa
Nesër, ora 14:00
Skënderbeu-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Teuta-Gramozi
E diel, ora 13:00
Vllaznia-Laçi
E diel, ora 14:00
Flamurtari-Tirana
Kategoria 1
Nesër, ora 14:00
Ada-Elbasani
Lushnja-Memaliaj
Pogradeci-Burreli
Turbina-Gramshi
Kamza-Partizani
Besëlidhja-Skrapari
Bylis-Bilishti
Luftëtari-Sopoti