E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Alimani: Drita Pelinku, Rouz-i ynë shqiptar

16/01/2009  Roli i fundit në skenë i aktores së njohur. Monodrama e parë dhe e fundit për artisten

Është e para monodramë për të, por njëkohësisht edhe e fundit shfaqje me të cilën ngjitet në skenë. Për këtë arsye, por jo vetëm, Drita Pelinku mund ta quajë Rouz rolin e jetës saj. Një grua hebreje 80-vjeçare, që rrëfen përmes një udhëtimi të dhimbshëm dramën dhe dashurinë e vet. Kjo është “fytyra” e re e Drita Pelinkut, që rivjen pas tre vjetësh në skenën teatrore me një pjesë të dramaturgut amerikan Martin Sherman. Kur regjisori Bujar Alimani pa për herë të parë këtë shfaqje në një skenë të Greqisë, mendoi se ai rol ishte krijuar enkas për Pelinkun. Ndaj dhe pa hezituar zgjodhi ish-mësuesen e tij të Akademisë së Arteve për të interpretuar në sprovën e tij të parë teatrore.

“Monodrama është e një niveli të lartë artistik. Në të rrëfehen ngjarjet më të mëdha të shekullit XX, që arrijnë te publiku nëpërmjet kujtesës së Rouz, që nga fillimi i jetës së saj deri në fund të garës”, - vëren regjisori Alimani, ndërsa aktorja Pelinku e cilëson Rouz, si një rol me shumë ngjyra. Duke pohuar se në fakt ndjeu një lloj druajtje në fillim për sa i përket sjelljes në skenë të rolit, për hir edhe të moshës, aktorja e njohur thekson se i pëlqen të riskojë. “Më ka pëlqyer gjithmonë të riskoj. Pa riskuar nuk fiton. Shoh shumë pika referimi me Rouz, qoftë edhe nga mosha. Është një rol shumë i vështirë, shumë i bukur, që jep gjithë mundësitë për të përshfaqur aktorin”, - thotë Pelinku dhe ndalet disi më gjatë në përshkrimin e figurës së Rouz. Një natyrë delikate, që e do shumë jetën, ngjarjet e vështira, përmes të cilave kalon e forcojnë dhe pikërisht ato e zhvillojnë intelektualisht dhe krijojnë bindjet e saj. “Rouz është shumë femër dhe mbetet e tillë”, - vijëzon Pelinku, ndërsa e quan atë luftëtare të paqes.

Duke folur për platformën regjisoriale, Bujar Alimani shpjegoi se e ka ndërtuar skenën e shfaqjes duke pasur parasysh minimalistikën e për këtë ka pasur parasysh edhe se arti nuk është spektakël, për më tepër spektakël televiziv.

“E rëndësishme për një regjisor është më tepër të jetë i zoti të heqë se të shtojë”, ß vërejti Alimani.

Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në 16,17 dhe 18 janar. Për këtë Alimani ka bashkëpunuar me Mikel Kalemin si as. regjisor, Klajd Ymerin si skenograf dhe kostumograf dhe Nikos Blasopulos, i cili ka ardhur nga Athina për ndriçimin.

- Pse vendosët të ngjisnit në skenë këtë pjesë dhe pse zgjodhët për rolin e Rouz Pelinkun?

- Unë e kam parë këtë shfaqje të luajtur me shumë sukses në Greqi. Duhet të dini se në Greqi nuk ka shfaqje që shfaqen tri ditë, vetëm kur janë të huaja. Shfaqjet që sendërtohen aty kanë parasysh të vazhdojnë gjatë, me sezone, të paktën dy muaj. E kam parë në teatër dhe që kur e pashë tek aktorja mendova absolutisht që është e shkruar për Drita Pelinkun. Madje, edhe në platformë, në fletën e parë, kështu shkruaj: autori kur e ka shkruar nuk e dinte se ekzistonte aktorja shqiptare Drita Pelinku. I vishet shumë znj. Pelinku ky rol. Ky ka qenë kontakti i parë me shfaqjen, që e mora, e përktheva, ia solla e ia dhashë Drita Pelinkut. Ajo ka qenë mësuesja ime dhe unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me të gjatë gjithë këtyre viteve. Ajo e dashuroi shumë Rouz-in, menjëherë dhe ramë dakord. Ngjarjet janë pjesë e ndodhive, ndodhive shumë të mëdha të kalvarit të madh të hebrenjve gjatë shekullit të kaluar dhe asaj që po ndodh sot në Rripin e Gazës dhe në Palestinë. Morëm vesh këto ditë se numri i të vdekurve në Palestinë ka kaluar në një mijë. Kështu, kjo pjesë është tejet aktuale. Kemi nja dy vjet që përpiqemi të vëmë në skenë këtë shfaqje, e kemi nisur dy-tri herë punën me të. Por ju e dini se teatri është “hobi” i shtrenjtë, duhet të gjesh aktorët që t’i paguash, skenografinë e kështu me radhë; gjithë këtë menaxhim, që unë nuk e kam bërë vetë. Megjithatë, them se ia kemi dalë mbanë. Ajo u fut menjëherë nën lëkurën e rolit ose roli u fut brenda saj. Është një Rouz e përsosur.

- Cilat janë ato detaje që e bëjnë një Rouz të përsosur?

- Kur ia jep rolin në fillim dikujt ia jep për tri shkaqe të mëdha që në këtë rast ishin mosha, përvoja e madhe në aktrim... Kurse gjatë punës, një muaj e gjysmë punë tavoline, shikoja që ajo vetë (Pelinku) i ka dhënë përshtatje të përsosur në shqip. Gjuha, fjalët e përkthyera, ajo i përcjell shumë shqip te spektatori. Ka një përshtatje të përsosur të aktrimit nga ana e saj, i afrohet shumë spektatorit, bëhet një me të. Aq më tepër që e mbledh dhe udhëton te spektatori, nuk është narracion. Ne jemi përpjekur t’i shpëtojnë narracionit, rrëfim për rrëfim e të shtojmë atë që autori ka në vepër, veprimin dramatik. Kjo është një monodramë me veprim shumë dramatik, veprim që zushë Drita e përcjell shumë bukur. Nuk tregon thjesht ç’ndodhi.

- Duke pasur parasysh anën luftarake të Rouz, mundimet e saj në jetë e karakteristika të tjera, mendoni se ka edhe shumë Rouz të tjera shqiptare?

- Mendoj që absolutisht ka. Rouz në një moment kujton: nëna ime nuk na prekte kurrë, nuk na puthte, nuk na ledhatonte kurrë, sepse gjithë energjitë e saj i harxhonte të na mbante gjallë. Aq sa edhe vetë ajo dridhet. Ne të gjithë kemi pasur jo pak raste të tilla, nëna të tilla në komunizëm, apo në kalvarin e pasluftës. Spektatori do të gjejë veten në shumë pjesë të veprës; atje ku ajo dashuron shumë marrëzisht me shikimin e parë, ku bën dashuri që natën e parë. Atje ku, edhe pse humb vajzën dhe të shoqin në Luftën e Parë Botërore, dashuria e saj mbetet pikë referimi çdo herë që ndihet e dobët. Është një mesazh shumë i madh për paqen.

- Ju më së shumti jeni shfaqur si regjisor filmi. Duke vënë në peshore filmin dhe teatrin, çfarë gjeni te njëri dhe çfarë tek tjetri?

- Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha me një frazë që vjen nga mitologjia. Anteu sa herë binte, i prekte shpinën tokës. Toka ishte nëna e tij dhe ai merrte fuqi e ringrihej, ringjallej. Domethënë, mua më bëri shumë mirë e doja që të punoja në teatër, të vija një pjesë teatrale. Në fakt, asnjëherë nuk e kam ndarë teatrin. Unë vërtet merrem më tepër me film, por nuk dua t’i ndahem teatrit. Edhe përvoja ime gjatë shkollës si student më ndihmoi shumë në kinematografi. Baza e filmit kudo është teatri. Unë punoj me të njëjtën metodë edhe në film, me punë tavoline deri në sheshin e xhirimit. Edhe pse janë dy gjini që ndryshojnë paksa, problemi është t’i afrosh paksa.

- Si e shihni filmin dhe teatrin shqiptar sot, në përballje me atë që zhvillohet në skenën evropiane e më gjerë?

- Regjisorët e filmit të gjatë duhet të merren më shumë me tematikën aktuale sesa me histori. Më duket sikur filmi është një dokument historik. Ka një tendencë për t’u marrë me ngjarjet e së kaluarës ose me temat e mëdha historike. Jemi një vend i vogël dhe i ngjajmë tregut të vendeve me kinema të vogla, siç është sot kinemaja kroate (e cila po përfaqësohet me sukses), iraniane, e Brazilit. Pra, sipas mendimit, tim duhet më shumë aktualitet në film. Kurse për sa i përket teatrit do të ndalem te ndriçimi. Unë, për shembull, nuk e mora kot operatorin e ndriçimit. Shfaqjet tona vuajnë shumë në këtë drejtim. Shfaqja është bërë me gjysmën e projektorëve që ndodhen këtu (në teatër), me tendencën që të zhvendoset diku tjetër, në një qytet tjetër ose jashtë vendit.

- Atëherë, keni menduar konkretisht se ku do ta çoni shfaqjen më pas?

- Kam qejf ta çoj në festivalin teatror në Stamboll, ose në festivalin e Athinës, në Kroaci, Kosovë, Maqedoni. Mendoj se është vërtet një shfaqje me shumë vlera.

- Së fundi, mund të na thoni diçka më tepër për projektet tuaja pas “Rouz”?

- Unë kam një projekt, projektin tim të gjatë kinematografik për të cilin do të aplikoj. Është filmi im i parë artistik me metrazh të gjatë. Në të trajtoj një temë sociale. Filmi fillon me atë që pësoi vendi ynë në postkomuizëm, nxjerrjen në asistencë në masë shumë të madhe të shqiptarëve, gjë që nuk la pa prekur shumë familje, të cilat dolën jashtë vendit. Në qendër është përpjeka e dy njerëzve për të qenë bashkë, e dy njerëzve që kanë lidhje të jashtëligjshme, por që nuk i gjykojmë dot, sepse ajo që jetojnë ata është shumë e bukur. Kam edhe dy filma të shkurtër, që do t’i xhiroj tani në pranverë dhe në verë në Greqi. Njëri është prodhim i televizionit shtetëror grek, tjetri i Qendrës Kinematografike të Greqisë. Janë skenarë grekë, për të cilët më është kërkuar të bëj regjinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›