E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujar Asqeriu - S’di nëse ekziston gruaja ideale



Klotilda Harka

Kur pak kohë më parë luajti në “Romancë dashurie”, nuk e pati shumë të vështirë. Vepra ishte aq afër jetës, saqë çdo gjë lindte natyrshëm. Ishte një trill artistik me konflikte të familjes së sotme në Shqipëri, Itali apo çdo cep të botës. Bujar Asqeriu rrëfen këtë romancë të sajuar nga autori, si e ka shijuar ai si një burrë i maturuar dhe si i koncepton dashurinë, gruan, tradhtinë, familjen dhe divorcin.

Pak kohë më parë ju interpretuat një rol, ku vini në lojë sinqeritetin e gruas suaj, ju shijoi aventura që përjetuat në shfaqjen “Romancë dashurie”?
Komedia flet për një çift që nuk shkojnë mirë dhe i dërgojnë letra njëri-tjetrit, duke imagjinuar të tjerë persona. Patjetër që ishte aventurë plot emocion, pasi ishte një histori dashuri-lojë, ku mund të gjejnë veten shumë burra si unë. Por në të njëjtën kohë ishte dhe një strategji e autorit për ta ruajtur familjen, jo për ta shkatërruar atë. është një vepër reale e skenaristit italian, Aldo De Benedetti, ku fokusohen në mënyrë elegante raportet e çiftit në një familje pa fëmijë. Ajo çfarë kam shijuar në këtë shfaqje është ideja që njeriu ka lindur me shpirt e mendim të lirë, dhe ndaj e kërkon lirinë edhe më tej në të gjitha kuptimet. Sigurisht që shoqëria njerëzore ka vënë disa limite, të cilat i japin rregull jetës. Por ndodh që në një moment të caktuar, kur një burrë mendon se e ka gjetur partneren e duhur, shumë shpejt kupton se ajo që i ishte dukur e përsosur, është konsumuar para syve të tij, ndaj nis të kërkojë një tjetër. Kjo është historia që unë sjell, pikërisht atë prirjen njerëzore për të rendur drejt së resë, gjë që mund të shpjegojë edhe fenomenin social pse ndodhin kaq shumë divorce në Shqipëri.
Ju ka ndodhur që në momente të caktuara të shfaqjes të luanit vetveten?
Problemi më i rëndësishëm për një aktor është të kuptojë qenien njerëzore, të eksplorojë veten e tij, shpirtin dhe pasionet. Brenda çdo njeriu ekzistojnë ndjesi që flenë me vite dhe në një moment shfaqen, ndaj sa herë që hyj nën lëkurën e ndonjë karakteri ndihem dhe jetoj dramën e tij. Kështu më ndodhi dhe në këtë komedi.
Ka një përputhje të moshës suaj me atë të personazhit. A mund t’i ndodhë një burri të moshës suaj të tronditet nga dashuria?
Si jo?! Dashuria është një ndjenjë e përjetshme, dhe deri sa burri të ketë frymën mund ta jetojë këtë ndjenjë të fuqishme. Dashuria e mban gjallë njeriun dhe në këtë kuptim nuk mund të flitet për vite, moshë, apo kohëra në dashuri. Por problemi sot qëndron tek instikti njerëzor, që ka tronditur shpesh marrëdhëniet në familje, dhe që është një problematikë që ka shekuj që vazhdon të trazojë jetët e njerëzve.
Po thoni që me kalimin e moshës së një burri zbehen ndjenjat dhe zgjohen instiktet… çfarë ndodh në të vërtetë?
Instikti është pjesë e ndjenjës, dhe nëse do flisnim për marrëdhënie në çift mund të ndodhë që burri dhe gruaja flirtojnë me partner tjetër, sepse duan t’i shpëtojnë rutinës. Kështu krijohet një marrëdhënie e re jashtëmartesore, ku burri fshihet prej gruas e gruaja prej burrit. Në këtë lidhje papritur e pa kujtuar ndodh krisja në çift, sepse një lidhje tjetër kërkon preokupim, energji, kohë…
I referohoni ndonjë eksperience personale kështu..?
Jo, unë s’e kam provuar, po kështu mendoj se është… (qesh)
Roli juaj i parë si aktor ka qenë në kinema në vitin 1979, në filmin “Në shtëpinë tonë”. Mund ta bëni dallimin midis familjes shqiptare të vitit ’79, asaj që luajtët në “Romancë dashurie” dhe familjes suaj të vërtetë?
Tri familje krejt të ndryshme do të thoja. Familja e filmit “Në shtëpinë tonë” ishte ajo, ku prindërit diktonin dashurinë e fëmijëve të tyre. Në komedinë që folëm kemi të bëjmë me një familje tashmë të ndërtuar, me një nivel jetese të mirë, ku burri provokon gruan e tij me letra dashurie për të sajuar një aventurë të re, si për vënë në provë martesën. Ndërsa për familjen time reale, them se është një familje e zakonshme, ku unë së bashku me bashkëshorten time jemi munduar të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ndërtojmë jetën që në fillesat e saj, qoftë shpirtërore apo ekonomike.
Bashkëshortja nuk ka të njëjtin profesion me ju, si ka funksionuar martesa?
Po bashkëshortja ime është me profesion mësuese. Jemi njohur shumë të rinj, kur unë isha 22 vjeç dhe ajo 20 vjeçe, dhe që atë atëherë jemi bashkë. Kemi dy djem, asnjëri prej tyre s’merret me art, por i kemi nxitur dhe i kemi mbështetur në dëshirat e tyre. E në një martesë më shumë sesa profesioni i njëjtë, e rëndësishme për çiftin është një loja e vazhdueshme e shkëmbimit të ndjesive, të mira a të këqija qofshin.
Konsideroheni kështu çift tradicional me një martesë që ka zgjatur. ç’mendim keni për çiftet që divorcohen?
Varet nga personat. Ndodh që dashuria konsumohet dhe duan një rilindje një eksperiencë tjetër jashtëmartesore, që i rigjallëron, u jep energji për të vazhduar jetën. Nuk i paragjykoj në vendimet e tyre, por ajo çfarë vë re unë është se rritja e mirëqenies ose standardet e larta nuk ecin paralelisht me rritjen shpirtërore të njerëzve sot. Mendoj se problemi më i madh, që çon në degradimin e martesave është tradhtia në çift, që i shtyn shumë burra të lënë një grua dhe të marrin një tjetër, në kërkim të asaj ideales, që në fakt nuk dihet nëse ekziston vërtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›