Donika Omari - Luftën ndaj diktaturës e dobësoi indiferenca
Ani Jaupaj
Ndihet që, nëse bëhet fjalë për histori personale, rrëfime të gërmuara nga e kaluara e shumë viteve më parë, njerëzit sikur miklohen vetiu. Më së shumti, interesi i tyre nuk synon personazhin rrëfimtar. është historia, rikthimi në të shkuarën ajo që ngacmon kuriozitetin. Një pjesë e njerëzve, pikërisht nëpërmjet kujtimeve prekin të shkuarën, çfarëdolloj ngjyrash që të ketë pasur ajo. Pjesa tjetër, zbulon nëpërmjet saj se si ka qenë periudha e imagjinuar. Ngjarjet historike janë pikat më të mira të referimit, ama kur përfshihen emocionet, pikëpamjet a analizat e një autori, ngjarjet marrin përmasa të tjera, reale. Donika Omari, i ka bërë, ndjesitë e saj të fëmijërisë, pjesë të librit “Kulturë e ndërprerë”.
Kujtimet i ngacmojnë njerëzit më shumë se analizat apo komentet e publicistikës. Përse jeni mjaftuar me kaq pak, përse si keni vijuar më tej?
Siç e kam thënë edhe në një intervistë tjetër, nuk kisha ndër mend të shkruaja kujtime, desha të zhvilloja një ide, të jepja një mesazh. Por duke qenë se ato vite të fëmijrisë përkonin me mënyrën se si do ta shtjelloja këtë ide, mendova ta nis pikërisht me mbresa të asaj kohe.
Pse, cilat ishin fragmentet që ju shfaqte kujtesa e që përkonin me shqetësimet që donit të ngrinit?
Në pjesën e parë të librit, që sjell kujtime të fëmijërisë sime të hershme, jemi në periudhën e pushtimit italian në Shqipëri. Mesazhi që doja të përcillja, ishte që edhe pse në kushte pushtimi, shqiptarët kishin c’të mësonin nga kontakti me një kulturë më të ngritur, siç është ajo e popullit italian. E kur mund të përfitosh në kushte pushtimi, merreni me mend sa shtohet kjo mundësi në kushte lirie, që, për fat të mirë, pas përmbysjes edhe të sistemit monist, e kemi sot, dhe s’na mbetet vetëm të dimë ta shfrytëzojmë.
Cilat ishin konkretisht disa nga përfitimet?
U ngrit cilësia e jetës. Në familjet hynë sende të përdorimit shtëpiak që lehtësuan punën e përditshme, si hekuri me korrent, dollapi me akull, ose frigoriferi i asaj kohe, kuzhina moderne me të gjitha pajisjet e duhura për të lehtësuar punën e shtëpiakeve... në shitje gjeje vegla muzikore, kuadro me fotografi pikturash të piktorëve të famshëm, u shtua botimi i librave, u ndërtuan disa kinema, teatri Kosova, stadiumi i sotëm Qemal Stafa etj. Nuk e harroj gëzimin e fëmijëve kur babai bleu një radio Filips,dhe si e vogël që isha pandehja se çdo aparat radioje jepte emisionet e veta, të veçanta, të ndryshme nga ato të një aparati radioje tjetër, etj.
Po ndoshta këto lehtësi arriti t’i kishte familja juaj apo qoftë edhe një rreth pak më i gjerë...c’bëhej me gjithë pjesën tjetër, sa do të vlejë paralelizmi juaj për ta?
Natyrisht që një vend pushtues në gjithçka që bën sheh interesin e vet. Italia fashiste përdori shumë demagogji për të bërë për vete shqiptarët, që nga ana e tyre gjithnjë e më shumë po ndienin se ç’do të thotë të jetosh nën çizmen e huaj. Nuk mund të thotë njeriu se pushtimi italian ishte një e mirë për Shqipërinë. Pjesa më e përparuar e intelektualëve italianë e ka vënë në dukje se Shqipërisë iu bë një dëm veçanërisht i madh me pushtimin,sepse ky pushtim i dha rast partisë komuniste të organizohej, të merrte pushtetin pas luftës e të vendoste një nga diktaturat më shtypëse.
Pra ishte edhe ana tjetër e medaljes, ajo e dëmtimit të vendit.
Këtë e kanë shtjelluar historianë, politologë, të huaj e shqiptarë. Unë kam përmendur gjërat e bukura të asaj kohe, të para me sytë e fëmijës, pa i hyrë shpjegimit se cilat ishin qëllimet e fashizmit italian kur investonte për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Siç thashë, me këtë janë marrë e merren historianët.
Ju keni qenë shumë e vogël, shumëkush, nuk mban mend pothuaj asgjë rreth moshës 5 apo 6 vjec? Pra, c’vend zë realisht kujtesa dhe sa i jeni referuar historisë?
Me sa duket kujtesa ime është emocionale, jo mekanike. Më janë ngulitur në kujtesë ngjarje, njerëz, biseda që ndofta janë të parëndësishme në pikëpamje të peshës e të rolit që kanë pasur, por që mua më kanë lënë përshtypje të pashlyeshme,sepse më kanë prekur në ndjenjën e gëzimit, të hidhërimit a të habisë. Prandaj i mbaj mend edhe sot, pas kaq shumë vjetësh.
Cilat janë dukuritë që i mëshoni më tepër në shkrimet publicistike?
Unë këmbëngul te domosdoshmëria e ndryshimit të mendësisë, te nevoja për dialog, te ndërgjegjësimi për plagët tona, te gjetja e rrugëve për të arritur cakun e dëshiruar, që do të na bënte jo sa për emër por realisht qytetarë evropianë.
Sa i përket rolit të përkthyesit, ç’raporte keni pasur dikur me përzgejdhejn e autorëve dhe cilat janë ato aktuale?
Para shumë vjetësh ndiqja më shumë shijet e mia, pa marrë shumë para sysh në do të pëlqehej nga lexuesi apo jo. Kështu për shembull kam zgjedhur të përktheja vepra të vështira, për të cilat lexuesi ynë nuk ishte ende i përgatitur, si “Planetari”, e N.Sarrotit, një antiroman sipas Sartrit. Me kohë m’u desh të tregohesha më realiste, dhe kam synuar vepra që, duke ruajtur gjithnjë cilësinë e lartë, i shkojnë një publiku të gjerë lexues, siç është për shembull romani “Klarisa” i Cvajgut.
Pse, ekziston ende ndarja për nivelin e lexuesit? Kush mund ta vërë në peshë?
Për ne botuesit është një pikëpyetje e madhe se si do të priten librat që botojmë. Mund të jenë libra shumë të mirë, por që lexuesi nuk i parapëlqen. Më e keqja është kur e tërheqin vepra që s’kanë vlerë tjetër përveç asaj se shiten. Prandaj është shumë e nevojshme një kritikë e specializuar që të verë në dukje ç’është me vlerë e ç’është letërsi limonatë. Lexuesi duhet të ketë një orientim për zgjedhjet që do të bëjë.
Në një intervisë tuajën ju thoni se pavarësisht lidhjeve familjare me Enver Hoxhën, “mbanim gjithashtu lidhje edhe me, siç quheshin, të deklasuar, a me të dënuar nga pushteti, herë haptas e herë, natyrisht, fshehtas”. Sa e mundur ishte kjo?
Edhe në një sistem diktatorial, sado të egër, elementi njerëzor ka gjithnjë rolin e vet. Në fund të fundit, që një klasë politike a një person t’i imponohet gjithë një vendi, këtu jep ndihmesën e vet me vullnet a pa vullnet e gjithë shoqëria, secili qytetar i veçantë. Ajo që shkoi duke e dobësuar gjithnjë e më shumë te ne kundërvënien ndaj diktaturës, ndaj padrejtësive, ndaj krimeve, ishte qëndrimi: “ç’më duhet mua”. Qëndrim që u bë praktikë e shumicës dërrmuese të shoqërisë shqiptare, i cili shpesh herë shpinte në një mendësi e kulturë parandalimi rreziqesh, që mund të ishin thjesht të përfytyruara, ose mund të ishin edhe reale. Ndofta “trimëria” jonë si familje ishte që na mungonte fantazia për t’i përfytyruar rreziqet, për të na u bërë “ferra Brahim”. Nuk mendonim se kalonim rrezik të madh po ta mirëprisnim njërin, që sapo kishte dalë nga burgu e ta ndihmonim për ndonjë punë, për ndonjë shkollë për fëmijën etj. Po kështu edhe po të mbronim aftësinë dhe talentin, pavarësisht biografisë “së keqe”. Më kujtohet kur erdhi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” urdhri për të pushuar nga puna (për arsye biografie) përkthyesin Bujar Doko: Bujarin, aq të aftë, aq të ngritur, aq të ndërgjegjshëm në punën si përkthyes... U mbylla në zyrë, dhe nuk më vjen turp të them se qava. Pastaj i shkova drejtorit, Thanas Lecit, dhe i rikujtova vështirësitë e mungesat që kishim si redaksi: ndër të tjera edhe mungesë kuadri. Nuk ishte e lehtë të zëvendësohej një përkthyes i nivelit të Bujarit. Do të binte cilësia. Nuk do të përballohej dot plani aq i ngarkuar... Falë mbrojtjes së drejtorit, që edhe ai nuk ishte ndonjë i frymëzuar nga lufta e klasave, Bujari vazhdoi punën derisa doli në pension. Jo pa ndier frikë ka qenë kur i dërgova, natyrisht fshehtas, një shoqes sime shumë të dashur një fjalor “Larousse”, që ma kërkoi nga internimi. Po kështu me frikë të madhe mbajta lidhje me një motër të internuar, (megjithëse kisha nënshkruar një deklaratë të kërkuar nga organizata e partisë se nuk do të mbaja asnjë lidhje me të), i dërgoja letra pa firmë si edhe ndihmë financiare, pa qenë e sigurt se kush ia shpinte nuk ishte i sigurimit.
ç’marrëdhënie ruhet tani me to, me të dyja llojet e lidhjeve të sipërpëmendura?
Disa nuk jetojnë më, disa janë larguar nga vendi, disa ruajnë mirënjohjen, disave u duket barrë mirënjohja.
Cili do ishte rreziku...në rast zbulimi?
Në një sistem diktatorial rreziku është i paparashikueshëm. Kisha njëfarë besimi naiv, se, ndofta, do të më bënin ndonjë kërcënim paralajmërues, përpara se të vinte tamam e keqja.
A nuk mendoni se tani, në kushte lirie të plotë, është kurioze t’iu rikthehesh këtyre kujtimeve, pra a keni ndërmendur t’i shkruani?
Mundet, që të shpëtoj në njëfarë mënyre prej këmbënguljes së tyre.