E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç i kërkon Hagës gjykim të shkurtuar



Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i ka kërkuar Gjykatës së Hagës gjykim të shkurtuar. Në një mocion prej 9 faqesh të firmosur prej tij, Karaxhiç u ka kërkuar gjykatësve të Hagës të urdhërojnë prokurorët që të reduktojnë akuzën për gjykim në mënyrë që të shkurtohet edhe procesi. Prokurorët ende po mbledhin fakte dhe po përpiqen që të reduktojnë numrin e akuzave me qëllim që të thirren sa më pak dëshmitarë në proces. Nga ana tjetër, ata kanë shtuar dhe një akuzë tjetër, atë të gjenocidit. Karaxhiç thotë se përgatitja për gjyqin e tij po zgjat shumë dhe më pas gjyqi do të zvarritet me vite të tëra. Argumentet e tij ai i paraqiti në një dokument nëntë faqesh drejtuar gjyqtarëve të Hagës. Karaxhiç akuzohet për drejtimin e masakrave serbe në luftën e Bosnjës 1992-1995, përfshi dhe masakrën e Srebrenicës ku u vranë 8000 burra e djem myslimanë. Arrestimi i tij u bë në Beograd në korrik të vitit të kaluar pas 13 vjetësh arratie.

Parlamenti i Kosovës shtyn rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit

Deputetët kosovarë kanë shtyrë dje miratimin e rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë gjatë periudhës 1941-1999. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, bëri të ditur se shkak për këtë shtyrje ishte mosharmonizimi i tekstit nga kryetarët e grupeve parlamentare, ndërkohë që disa ligjvënës shprehen se teksti është harmonizuar, por për motive të ndryshme nuk u trajtua në mbledhjen e radhës. Diskutimet u mbyllën pa asnjë paralajmërim se kur do të hapet sërish kjo çështje. Parlamenti ka debatuar mbi raportin e qeverisë për punën e saj njëvjeçare, të cilin kryeministri Hashim Thaçi dhe partitë e koalicionit e kanë vlerësuar pozitive në dokumentin e përgatitur nga qeveria. Raporti i qeverisë, mbi 200 faqesh, përshkruan në detaje të gjitha aktivitetet dhe angazhimet e qeverisë gjatë gjithë vitit 2008. Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi punën e qeverisë, duke thënë se kabineti i tij ka tejkaluar mentalitetin e së kaluarës, situatën kaotike dhe ka rritur frymën e bashkëpunimit, duke arritur të bëjë shumë. Por ai premtoi se qeveria do të bëjë edhe më tepër.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›