E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, shkatërrohet banda e drogës, në pranga shtatë shqiptarë



Pas dy vitesh hetime, policia italiane përfundoi operacionin antidrogë “Peshku i madh”. Agjentët italianë kanë mundur të shkatërrojnë bandën, në krye të së cilës ishte një shqiptar, ndërsa kishte në përbërje të saj dhe italianë, marokenë dhe nigerianë. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 23 kg drogë. Gjithçka erdhi pas një hetimi të gjerë të policisë italiane të zhvilluar në Regio Emilia që prej vitit 2007 dhe që ka përfunduar mëngjesin e djeshëm me arrestimin e 14 personave, 7 prej të cilëve shqiptarë. Rrjeti merrej me shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe hashashit në rrugë të ndryshme, e destinuar për të furnizuar tregun e Regio Emilias. Hetimet e koordinuara nga Shërbimi Qendror i Policisë ka çuar në arrestimin e protagonistit kryesor të kësaj organizate, shqiptarit Xhaferr Berisha, që merrej me tregti të nivelit të mesëm e të lartë. Të tjerë shqiptarë të arrestuar janë: Simon Trakaj 24 vjeç, Taulant Kaftirani 24 vjeç, Rudenc Kubeja 27 vjeç, Albano Xhelo 34 vjeç, Marsel Varfaj 19 vjeç dhe Eraldo Jaholli 21 vjeç. Veç tyre, në pranga kanë rënë dhe dy marokenë, tre nigerianë dhe dy italianë. Nga viti 2007 e deri dje, ky operacion vuri në pranga 42 persona si dhe çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.

Aksidentoi adoleshentin, në pranga drejtuesi i mjetit

Tiranë - Një 40-vjeçar u vu në pranga nga policia pasi aksidentoi një adoleshent teksa udhëtonte anës rrugës. Burime policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve kryen arrestimin në flagrancë të Fatos Cufajt, lindur në Shkodër dhe banues në Irlandë. Arrestimi i tij u krye sepse rreth orës 14:00, duke drejtuar automjetin e tij tip-fuoristradë “Benz 270 ML”, me targa SH 4349 E, në Sauk të Ri, pranë një karburanti, ka aksidentuar këmbësorin 18-vjeçar Arben Rama. 18-vjeçari, banues në Sauk, është aksidentuar teksa po ecte anës rrugës dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mori euro për vizë për jashtë shtetit, denoncohet për mashtrim 50-vjeçari

Tiranë - I kishte marrë një shumë parash në këmbim të nxjerrjes së një vize, por kaluan tre vjet dhe i interesuari nuk kishte marrë as vizën dhe as paratë. Duke kuptuar se ishte mashtruar, “hallexhiu” vendos ta denoncojë në polici. Burime zyrtare policore thanë për gazetën se janë dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetim në gjendje të lirë, për veprën penale të vjedhjes me anë të “mashtrimit”, në ngarkim të Ilirjan Vatkojës, 55 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj tij është deponuar një kallëzim penal nga një person që ka deklaruar se afro 3 vjet më parë i ka marrë me anë të mashtrimit shumën e parave prej 3000 eurosh. Deri tani të zotit i janë kthyer vetëm 2300 euro.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›