E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujar Nishani: Kushtetuta e sotme eliminon krizat parlamentare, jo kthim në Kushtetutën e para 2008-ës

14-08-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ka dalë hapur kundër ndryshimeve që kërkon të bëjë në kushtetutë Partia Socialiste. Duke iu referuar amendimeve të vitit 2008, zoti Nishani thotë se falë tyre u eliminuan ngërçet parlamentare, duke sjellë ligjin themeltar të shtetit në standarde më të mira evropiane. Ministri i Brendshëm, një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike nënvizon faktin se në 2008-ën ishin pikërisht socialistët propozuesit e ndryshimeve në Kushtetutë që u miratuan me konsensus të gjerë politik. “Pa dyshim jam i bindur që në momentin kur opozita ofroi ato propozime për të ndryshuar kushtetutën mbante parasysh faktin jo vetëm të qenurit në opozitë, por edhe të vinte në pushtet. Pra, raportet që përcaktonte Kushtetuta, ishin raporte mjaft të qarta midis institucioneve, çka është e rëndësishme nga të gjitha ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, ishte pikërisht të eliminoheshin ngërçet artificiale në jetën parlamentare, në jetën konstitucionale të të gjitha institucioneve të vendit. Unë besoj se sa kohë që Kushtetuta me ndryshimet e saj, shumë e rëndësishme me propozimet direkte të opozitës, arriti të evidentonte ngërçe të mundshme konstitucionale dhe institucionale të vendit. Besoj se ka qenë një arritje dhe prurje në standardet e mjaft vendeve të konsoliduara, përsa i takon konceptit të demokracisë së Bashkimit Evropian”- u shpreh Nishani. Për ministrin e Brendshëm çalon dhe mënyra se si Partia Socialiste trajton ligjin themelor të shtetit. Nuk është korrekte thotë ai që, kushtetuta të shihet njëlloj si një ligj i thjeshtë, e të kërkohet ndryshimi i saj brenda 3 apo 4 vitesh. “Në praktikën tonë legjislative nuk ka ligje të thjeshta të cilat të amendohen më herët se 4 apo 5 vjet. Të trajtosh ndryshimet Kushtetuese në këtë prizëm unë besoj se në radhë ta parë është një qëndrim jo korrekt ndaj kushtetutës në konceptin doktrinal, por edhe në sjelljen shoqërore ndaj Kushtetutës dhe ndaj vetë sistemit”- tha Nishani. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani thekson se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, e konsoliduan gjithnjë e më shumë rolin e ligjit themeltar të shtetit. Ai sugjeron që ajo të lexohet me qetësi, jashtë interesave politike, për të kuptuar siç thotë se, ajo është vërtetë një Kushtetutë e mirë.         

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›