E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Ceka: Rama kërkon të marrë pushtetin me forcë – PS është bërë si PKSH, ka “vrarë” aleatët

14-08-2011 / Gazeta 55

Presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka i bashkohet atyre qëndrimeve që i përmbahen ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008 dhe e gjen të pavend logjikën e rikthimit të ligjit themelor në variantin e viti ’98. Ceka ndalet pikërisht tek zgjedhja e Presidentit të Republikës ku është fokusuar më së shumti debati. Me ndryshimin që iu bë Kushtetutës në vitin 2008, ligjvënësit siç thotë presidenti i PAD, shmangu krizat që prodhonte zgjedhja e tij, pasi vendi vihej më shumë se njëherë përballë rrezikut për zgjedhje të parakohshme. Ceka sjell në vëmendje se zgjedhja e kryetarit të shtetit me 71 vota, nuk ia zbeh aspak rolin e rëndësishëm që ka ky institucion. “Unë mendoj që ka qenë një zgjidhje relativisht logjike. Një zgjidhje që nuk ka nevojë për ndryshime të tjera. Presidenti zgjidhet vërtetë me një shumicë të cilësuar prej 71 votash, por nga ana tjetër mbetet konsensual sepse mandati i tij nuk përkon me atë të kryeministrit, pra nuk është se partia që është në pushtet ka domosdoshmërisht edhe presidentin, dhe së dyti është një president shumë i fortë se nuk mund të hiqet me 71 vota siç mund të hiqet Kryeministri, por duhen 94 vota për ta hequr, për ta dënuar, apo impeachment siç thonë amerikanët. Si rrjedhim, kemi parë gjatë gjithë rasteve të fundit, ka qenë një president relativisht i pavarur nga partia ose nga establishment politik që e ka nxjerrë siç ishte rasti i Moisiut, është një president i cili ka fuqi, sepse emëron një pjesë të funksionarëve të lartë, ka një kontroll mbi to si dhe ka një kontroll të dukshëm mbi sistemin gjyqësor”- u shpreh Ceka. Duke komentuar variantin po aq të përfolur të zgjedhjes së Presidentit nga populli, zoti Ceka thotë se ky model nuk përkon me sistemin tonë qeverisës. “Atëherë duhet të ndryshojmë të gjithë Kushtetutën, ta bëjmë një kushtetutë të tipit francez, pasi një president që zgjidhet nga populli duhet të ketë domosdo fuqi ekzekutive, siç ka p.sh presidenti amerikan, apo dhe ai francez. Unë mendoj se është gjithmonë një arteficë e partive politike, në rastin konkret e Partisë Socialiste, që duan të marrin një post me forcë”- deklaroi Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.
Idenë e ndryshimeve të Kushtetutës që iu bënë në vitin 2008 e hodhi Partia Socialiste, e cila e nisi fillimisht me një ndjesë publike të kreut të saj Edi Rama.
Ky i fundit tha se PS gaboi që dha konsensus për ndryshime të pamenduara kushtetuese 3 vite më parë. Por, rikthimi tek e njëjta çështje, për presidentin e PAD-së, Neritan Ceka nuk tregon gjë tjetër veçse panik dhe krizë të brendshme të Partisë Socialiste. “Natyrisht një parti e cila nuk mendon për 2013-ën për t’u organizuar dhe për të zgjeruar rrjedhën e aleatëve sepse një parti që në traditën e Partisë Komuniste “vrau” të gjithë aleatët e vet dhe prandaj humbi. Kjo është arsyeja kryesore. Një parti që nuk ndan pushtetet është destinuar të dështojë. Marifetet për të marrë pushtetin me ndryshime Kushtetuese besoj se janë shumë të lexueshme dhe nuk tregojnë gjë tjetër veç asaj krize të thellë identiteti dhe personaliteti në Partinë  Socialiste”- deklaroi më tej, kreu i PAD, Neritan Ceka.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›