Me daltë në zemër, vdes babai i tre fëmijëve
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Policia e Lushnjës është duke hetuar vdekjen në rrethana ende misterioze të një 50-vjeçari, i cili u gjet nga familjarët e tij me një daltë në zemër.Hysen Kasapi nga fshati Savra i Lushnjës mësohet se ishte nisur mëngjesin e së martës për të punuar në tokat e tij në Karbunarë. Familjarët e tij deponuan në polici se viktima kishte marrë me vete bukën për vaktin e drekës si dhe mjetet e punës. Por në orët e vona të pasdites, të merakosur nga vonesa e tij, ata u nisën drejt fshatit Karbunarë në tokat ku ai punonte çdo ditë. Familjarët e gjetën 50–vjeçarin të përgjakur në një kasolle që ndodhej në tokat e tyre. Pamja ishte shokuese. Ai ishte i shtrirë përmbys, ndërsa në dorën e majtë mbante të shtrënguar fort daltën, e cila kishte depërtuar në kraharor. Familjarët e 50-vjeçarit dhanë menjëherë alarmin duke sinjalizuar policinë. Kjo e fundit nuk vonoi të shkonte në vendin e ngjarjes, ndërsa pasi kreu veprimet procedurale në vend, mori në pyetje edhe të afërmit e viktimës. Ata deponuan në polici se e kishin gjetur atë të përgjakur, ndërsa dalta ishte ngulur në zemër. Tashmë policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, pasi ende mbeten të paqarta rrethanat e saj. Burime të policisë bënë të ditur se ka dyshime për një vetëvrasje. Por të njëjtat burime shtuan se kjo ngjarje po hetohet pasi nuk mund të përjashtohen edhe pista ta tjera. Familjarët e Kasapit konfirmuan për grupin e hetimit se viktima kishte pasur probleme ekonomike, të cilat nuk arrinte t’i zgjidhte. Ai kishte shfaqur edhe gjendje depresive, për shkak se një nga tre fëmijët e tij vuante nga sëmundja mendore. Sipas raportit mjeko-ligjor, në trupin e viktimës është konstatuar një vrimë e shkaktuar nga dalta, e cila i ka shkaktuar atij edhe vdekjen. Familja e Hysen Kasapit prej vitesh jetonte në Savër të rrethit të Lushnjës. Viktima e kishte ngritur gjithë ekonominë e familjes në tokën që punonte. Ato ishin të vetmet të ardhura me të cilat ai mbante bashkëshorten dhe tre fëmijët, të cilët tashmë i la jetimë. Blutë e Lushnjës morën në pyetje edhe disa banorë të fshatit Karbunarë, të cilët punonin tokat e tyre jo shumë larg vendit ku u gjet viktima. Por ata nuk kanë dhënë asnjë dëshmi, e cila do të ndihmonte grupin e hetimit për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.