E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishte nën arrest për vjedhje, tentoi të grabiste banesën e një shtetasi



Tiranë – Një i ri nuk ka dashur t’ia dijë për masën e sigurisë arrest shtëpie, teksa ka tentuar të vjedhë banesën e një tjetër shtetasi. Ngjarja ka ndodhur në Kodër-Kamzë, pak kilometra larg kryeqytetit. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga dhe një tjetër person, po për vjedhje. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se është arrestuar në flagrancë Fabian Laçi, 20 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij është bërë pasi dje, në Kodër-Kamzë është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, duke tentuar të vjedhë banesën e një qytetari. Ky person ka qenë me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për veprën penale të “vjedhjes”. Dosja i ka kaluar Prokurorisë për veprat penale “vjedhje e mbetur në tentativë” dhe “largim i të dënuarit nga vendi i qëndrimit”.

Vodhën një celular dhe lekë, ndalohen nga policia

Tiranë - Bashkëpunojnë për të vjedhur një celular dhe ca lekë, por vihen në pranga nga uniformat blu. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i dy të rinjve: M. M., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Erion Zyla, 20 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në afërsi të “Ushtarit të panjohur” i kanë vjedhur një qytetari një aparat celular, tip “Nokia 6300”, si dhe shumën e parave prej 11 000 lekësh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari “Nokia 6300” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “vjedhje në bashkëpunim”.

Arrestohen në flagrancë duke vjedhur tre persona

Lezhë - Tre persona janë kapur në flagrancë në Lezhë, pasi po vidhnin mallra ushqimorë. Vladimir Hisku 26 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 3, Laç; Arben Tanushi (Leka) 30 vjeç, banues në Lagjen Nr. 4, po në Laç; si dhe shtetasi me inicialet A. U, 17 vjeç, banues në Lagjen Nr. 2, Laç, janë vënë në pranga nga policia gjatë ditës së djeshme. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës thanë se tre personat u vunë në pranga pasi u kapën në flagrancë nga policia në tentativë për vjedhje të një dyqani ushqimor. Ndalimi është bërë nga Seksioni i Krimeve kundër Pronës, në Policinë e Laçit. Këta të fundit bënë të mundur vërtetimin e autorësisë dhe për disa ngjarje të tjera, konkretisht vjedhje të kryera muajt e fundit në qarkun e Lezhës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: një autoveturë e markës “Mercedes Bens” me targë LA 4970 A, një sëpatë e vogël, një levë, dy palë doreza plastike, një kaçavidë, dy kapuçe trikotazhi në forme maske dhe dy radio komunikuese të tipit “Motorola”.

Aksident rrugor te Ura e Vozit, plagosen dy persona

Lushnjë - Një aksident me pasojë plagosjen e dy shtetasve ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në vendin e quajtur “Ura e Vozit”. Burimet zyrtare të Policisë së Lushnjës pohojnë se automjeti tip Benz, me targa DR 3687 D, që drejtohej prej shtetasit Arben Mici, 39 vjeç, nga Durrësi, ka qëlluar nga pas një tjetër automjet tip Volkswagen “Golf”, me targa Dr 2324 D, i cili drejtohej prej shtetasit Agron Mustafai. Nga përplasja e dy automjeteve u plagos drejtuesi i golfit dhe shoku i tij. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë, të cilat kanë kryer edhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit tip Benz. Ai është ndaluar pasi ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›