Turqia ofron 10 bursa universitare për vitin akademik 2009-2010
Tiranë - Qeveria turke, në kuadrin e “Programit të Madh të Nxënësve”, ofron 10 bursa për nxënësit shqiptarë, që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Turqi, për vitin akademik 2009-2010. Aplikantët për këto bursa do t’i nënshtrohen një konkursi, që do të zhvillohet në Tiranë më 19 prill 2009. Ata duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: të jenë në vitin e fundit të shkollës së mesme, ose ta kenë përfunduar atë dhe të kenë lindur pas datës 1 janar 1985; të mos kenë humbur të drejtën e bursës (përjashto arsyet shëndetësore dhe të fatkeqësive natyrore), në rast se më parë kanë fituar bursë shtetërore për të studiuar në Turqi; të jenë të aftë nga ana shëndetësore për studime. Kërkesat për regjistrim duhet të bëhen pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, duke filluar nga dita e sotme deri më 10 prill, duke telefonuar në numrat 2380350, 2380350 dhe 2380353, në orën 10:00-12:30, paradite, dhe 14:00-16:00, pasdite, (me përjashtim të ditës së hënë, të shtunë dhe të diel). Pas fiksimit të orës dhe datës për të plotësuar formularin e aplikimit, aplikanti, kur të shkojë në ambasadë, duhet të ketë me vete një fotografi dhe një dokument identifikimi (pasaportë ose certifikatë të gjendjes civile me fotografi). Dy ditë përpara konkurrimit, aplikantët, duke telefonuar në Ambasadë, do të mësojnë vendin se ku do të zhvillohet konkursi.
19 Mars 2009