Kapllani: “Han më zhgënjeu”
Lista e publikuar nga Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, për ndeshjet kundër Hungarisë e Danimarkës, ku binin në sy mungesat e dy sulmuesve, Erion Bogdanit (golashënuesit më të mirë shqiptar në eliminatoret e Botërorëve, 5 gola) e Edmond Kapllanit (golashënuesit më të mirë shqiptar në eliminatoret e Europianëve, 5 gola) ka prodhuar polemikat e zakonshme në mjedisin futbollistik shqiptar, por dhe te vetë protagonistët. Sulmuesi i Karlsruhes në Bundesligën 1 gjermane, Edmond Kapllani, reagoi ashpër gjatë një interviste për televizionin shqiptar “Vizion Plus” për mosthirrjen e tij nga ana e trajnerit Ari Han. “Jam i zhgënjyer pasi e prisja të thirresha në Kombëtare. E ndiej që jam në formë të mirë dhe ndoshta mund ta ndihmoja pak a shumë ekipin. Me (trajnerin) Ari Hanin nuk kam pasur ndonjë bisedë telefonike apo diçka tjetër për ta ditur se çfarë problemi ekziston apo se çfarë duhet të bëj që të jem në Kombëtare”, - tha Edmond Kapllani, i cili nuk u thirr edhe në ndeshjen kundër Maltës. Goli i fundit zyrtar i Edmond Kapllanit me fanellën e Kombëtares është ai kundër Rumanisë në humbjen 6-1 në Bukuresht për eliminatoret e Kampionatit Europian (atëherë Shqipëria drejtohej nga kroati Oto Bariç), ndërsa në një ndeshje miqësore është ai në fitoren 2-0 kundër Lihtenshtejnit (nën drejtimin e Ari Hanit).
19 Mars 2009