E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet “Filumena Marturano”



“Filumena Marturano” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar nga data 20-22 mars, gjatë të cilave do të shfaqet për publikun e interesuar në sallën “Kadri Roshi” të këtij institucioni. Kryevepra e dramaturgut të njohur italian De Filipo duket se ka korrur sukses sërish edhe njëherë në metropol dhe për këtë arsye vjen edhe për tri data të tjera në skenën e TK-së. Historia e dramës bën fjalë për Filumena Marturanon, një ish-prostitutë që jeton prej njëzetepesë vjetësh si gruaja e pakurorëzuar e
Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez dhe i kamur. Filumena ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e “detyron” atë të martohet me të zyrtarisht duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Domeniko Soriano pranon të martohet. Por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj ”loje”: Ajo dëshiron t’u japë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të D.Sorianos. Regjisori i shfaqjes është artisti i merituar
Albert Minga, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, artistja e popullit Tinka Kurti,
Vangjel Toçe, Olta Gixhari, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben
Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga mjeshtri i skenës, Artisti i Popullit, Agim Zajmi.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›