E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pantera rozë”, këtë fundjavë te Millenium II në kryeqytet



Tre vjet pas episodit të parë “The Pink Panther”, inspektori Zhak Kluzo (Jacques Clouseau) kthehet me aventurat e tij të bujshme. Pikërisht këtë fundjavë, në kinema “Millenium II” në Tiranë shfaqet simpatiku i pamohueshëm Stiv Martin (Steve Martin), i cili për herë të dytë luan personazhin e krijuar nga Blejk Eduards (Blake Edwards). Detektivi i ngathët i policisë franceze duhet të rigjejë thesaret legjendare që janë vjedhur, mes të cilave edhe diamantin e kuq. Për ta ndihmuar në detyrën e re do t’i duhet një ekip me detektivë nga e gjithë bota, përpos “artit” të tij të veçantë për të zgjidhur çështjet. Në këtë vijim të prodhimit të vitit 2006, regjisorin Shaun Levi (Shawn Levy) e zëvendëson Harald Zuart (Harald Zwart), ndërsa protagonisti mbetet po ai; Stiv Martin. Personazhi i Blejk Eduards, të cilin Stiv Martin e përkufizon "një Hamlet të komedisë", është interpretuar nga shumë aktorë gjatë këtyre viteve, por në fakt vetëm tani po gjen dimensionin e vet në ekranin e madh. Dhe ndonëse gjithçka duket e superkonsumuar për vetë faktin se aventurat e inspektorit francez kanë nisur udhëtimin e tyre që në vitin 1963, mjafton vetëm sigla e njohur e hapjes, një përzierje magjike mes motivit të Henry Mancini-t????????????? dhe kartonit të animuar për të sjellë në humor të mirë publikun. Të shkakton të qeshura që nga fillimi e deri në fund, duke lënë pas sprova të shumta në vite, përfshirë edhe provën e parë të Stiv Martin në vitin 2006. Regjisori di të shfrytëzojë dinamikën e kinemasë pa zë duke i bërë një rilexim personazhit pa harruar origjinën e tij, por duke i hequr edhe atë lëkurë “vjetërsie” që ndoshta rrezikonte ta mbyste. Aventurat pasojnë njëra-tjetrën me ritëm të plotë ekuilibri i komedisë arrin të ruhet mjaft mirë sipas kritikës. Personazhi disi karikaturial dhe ekscentrik është interpretuar me mjeshtëri Stiv Martin, i cili me fizikun e tij mjaft shprehës duket se po i reziston kohës duke rigjetur entuziazmin e duhur për të mbajtur pas vetes publikun që gjithnjë e më shumë po kalon përmasat e fansave të tij dhe po bëhet heterogjen. Me pak fjalë, “The Pink Panther 2” është një nga ata filma që mund të shihet nga të gjithë dhe që të bën të dalësh nga kinemaja me një buzëqeshje që do të kujtohet gjatë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›