E Diel, 1 Nëntor 2026

Një projekt i ri hollivudian për aktorin Blerim Destani



LOS ANXHELOS - Aktori i mirënjohur, Blerim Destani, sapo ka përfunduar xhirimet e projektit të tij të tretë hollivudian. Fjala është për filmin “Get low”, duke pasur parasysh se aktori ka luajtur përkrah ikonës së aktrimit, Robert Duvall, si dhe yjeve të kinematografisë, siç janë Bill Murray, Sissy Spacek, Scot Cooper, Lucas Black dhe Bill Cobbs. Skenarin për filmin "Get low" e kanë shkruar C. Gaby Mitchell, Chris Provenzano, ndërsa regjisor i filmit është Aaron Schneider (fitues i çmimit “Oscar” për filmin e shkurtër "Two Soldiers" në vitin 2004). Për peshën dhe rëndësinë e këtij filmi flet fakti që filmi "Get low" është në produksion të kompanisë "Zanuck Company" me producent Dean Zanuck, i cili është nipi i njërit nga themeluesit e industrisë kinematografike të Hollivudit, Darryl F. Zanuck. Angazhimi i Blerim Destanit në një projekt me kaq peshë tregon qartë se edhe ne kemi vlera të mirëfillta, që mund të jenë pjesë e kinematografisë botërore. Nga burime pranë Blerim Destanit mësuam se puna e tij ka lënë përshtypje të shkëlqyeshme si te kolegët aktorë, ashtu dhe te regjisori dhe producenti, kështu që gjatë kohës së xhirimeve Blerimit i janë bërë disa oferta shumë atraktive në projektet e ardhshme hollivudiane. Pas roleve në filmat "Truth About Men" dhe "At World's End", angazhimi i Blerimit në filmin "Get low" është një sukses i veçantë për karrierën e tij. Kjo po ashtu është një gjë me rëndësi të veçantë, pasi pas aktorit tonë të mirënjohur, Bekim Fehmiu, edhe Blerim Destani po ngjitet shkallëve të suksesit në arenën më të rëndësishme të kinematografisë botërore.
(Hermesnews)

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›