E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia, PS: Motoja e Saliut: Zgjedhje të reja – gënjeshtra të vjetra

TIRANË- Partia Socialiste ka vijur edhe sot me atë që ajo e quan ‘100 arsye për të mos votuar”. Gjatë një konference për mediat, anëtarja e grupit të punës për programin, Milena Harito akuzoi kryeministrin që në konventës që PD, organizoi dje për fermerët, rilexoi të njëjtin fjalim që ka mbajtur në vitin 2009.

“Në fjalën e tij të djeshme kishte një premtim të marrë ‘fjalë për fjalë’ nga fjalimi i tij në Parlament, mbajtur në vitin 2009 gjatë prezantimit të programit qeverisës. Për t’i rifreskuar memorien kryeministrit sklerotik po i kujtojmë sesi të njëjtin premtim të 2009 e rilexoi dje, me moton : zgjedhje të reja – gënjeshtra të vjetra. Në 16 Shator 2009 në fjalën e programit qeverisës tha: “Qëllimi i gjithë kësaj është që në vitin 2013 fshatrat e këtij vendi të llamburitin njëlloj si lagjet e qyteteve të Shqipërisë. Dje në konventë tha: “në katër vitet që vijnë, çdo fshat shqiptar do të llamburitë nga dritat, njëlloj si lagjet e qyteteve tona.” Sali Berisha dështoi me çështjen e pronës, çështje e cila ka mbetur e pazgjidhur. Dëshpërimi i fermerëve ka mbërritur në pikën sa dhe ne takimet e stisura me ta, nuk ka vend që të mos ia përmendin. Shfaqja e djeshme në “Konventën për zhvillimin rural” e Partisë Demokratike, ishte jo vetëm e turpshme dhe me riciklime të turpshme premtimesh të pambajtura në këto 8 vite, por dhe një tallje dhe ofendim për çdo fermer shqiptar”, tha Harito. 

Sipas Haritos, Partia Socialiste do të pesëfishojë financimin publik për zhvillimin rural. “Ne angazhohemi për t’i dhënë kujdes prioritar dhe të vazhdueshëm bujqësisë. Ne do të krijojmë mundësi që fermerët shqiptarë të përfitojnë realisht nga avantazhet konkurruese që disponon bujqësia e vendit tonë, si: toka pjellore, burimet e shumta ujore, numri i madh i ditëve me diell dhe mundësia për të nxjerrë në treg produktet shqiptare përpara konkurrentëve fqinjë”, përfundoi Harito.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›