E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e dheut, 9 shtëpi në rrezik

 

KORÇE- Pas reshjeve të vazhdueshme të shiut e dëborës në Korçë, është krijuar pasiguri për masivet shkëmbore dhe të dheut, të cilët rrezikojnë të rrëshqasin. Masivi shkëmbor në fshatin Arrëz rrezikon të shkëputet, ndërsa rrëzë tij ndodhen dy banesa. Këshilli i qarkut ngriti grupin e ekspertëve, të cilët kanë parë dhe vlerësuar në vend situatën e krijuar dhe rrezikshmërinë që u kanoset dy shtëpive. Ata vendosën largimin e dy familjeve të rrezikuara nga banesat e tyre dhe strehimin në dy banesa të tjera të fshatit, që tani në dimër nuk banohen prej pronarëve. Po ky grup ekspertësh ka verifikuar edhe gjendjen e krijuar pas rrëshqitjes së një masivi dheu në fshatin Trebinjë, ku janë në rrezik 7 banesa. Njëra prej tyre është shkatërruar, ndërsa të tjerat që ndodhen shumë afër kësaj zone kanë marrë plasaritje. Grupi i ekspertëve ka urdhëruar që edhe banorët e këtyre 7 familjeve të largohen sa nuk është vonë.                                      j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›