Hiqet statuja e ‘këpucës së Bushit”
Një statujë e këpucës që goditi ish-presidentin amerikan, Xhorxh Bush gjatë vizitës së tij të fundit në Irak, është hequr vetëm pak ditë pasi ishte vendosur në qytetin ku ka lindur dhe është rritur ish-diktatori irakian, Sadam Husein. Statuja u ndërtua në nder të gazetarit që hodhi këpucën kundër Bushit, i cili ende qëndron në burg për agresion kundër një lideri të huaj, duke u përballur me 15 vite burg. Që kur është arrestuar, gazetari që hodhi këpucën është keqtrajtuar nga policia. Tani ai ka një krah të thyer, brinjë të thyera dhe vuan vazhdimisht nga hemorragjia e brendshme. Statuja ishte ndërtuar me fibra qelqi dhe ishte e lyer në ngjyrë bronxi. Ajo u hoq nga sheshi i një jetimoreje në Tikriti, ku ndodhej, me urdhër të autoriteteve lokale. Kur u zbulua statuja, artisti që e ndërtoi, Laith al-Amari këmbënguli se ajo nuk ishte një vepër me qëllime politike, por “një burim krenarie për të gjithë irakianët”.
Kondi Rajs në kërkim të dashurisë
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs është në kërkim të romancës. 54-vjeçarja, krahu i djathtë i presidentit të larguar pak ditë më parë, Xhorxh Bush për një periudhë katër vjeçare, tani thotë se ka më shumë kohë për të kërkuar shpirtin binjak, ndërkohë që është kthyer në profesionin e saj të vjetër, duke dhënë leksione në universitete. “Nuk kam gjetur kurrë dikë me të cilin të dua të martohem. Kjo nuk do të thotë se nuk do ta gjej apo nuk dua ta gjej, por deri tani nuk ka ndodhur”, ka komentuar ajo.
“Fushata elektorale, si seksi”
Një ministre e kabinetit qeveritar të Gordon Braun në Britani, Hazel Blears ka thënë se të bësh fushatë për zgjedhje është njësoj si të bësh seks. Sipas “The Sun”, sekretarja britanike e komuniteteve i ka thënë një kolegu të saj “Fushata elektorale është si seksi, nëse ti nuk e shijon, nuk e bën dot në mënyrën e duhur”. Këshillat e saj kishin për qëllim ta bënin mbledhjen argëtuese. Zonja Blears është 52 vjeçe dhe e martuar prej 20 vitesh më kërkuesin, Michael Halsall. Ajo thotë se i pëlqen shumë të përdorë “Facebook” dhe “Twitter” për të diskutuar për politikë.
Kërkesa e mbretëreshës
Mbretëresha Elisabeta dëshiron që sekretet mbretërore të jenë të mbrojtura nga vendimi për të hapur dokumentet zyrtare për publikun. Gjatë javës së kaluar në Britani një gazetë paralajmëroi se do të bënte publike dokumente historike që fshihen në arkivat zyrtare pas 15 vitesh. Periudha i takon vitit 1992, i njohur ndryshe si “annus horribilis” nga mbretëresha. Ishte viti kur princi Çarls dhe Diana u ndanë. Po ashtu Duka dhe Dukesha e Jorkut, si dhe kështjella Uindsor provoi një humbje prej 40 milionë sterlinash. Ngjarjet po debatohen në Parlamentin britanik, ku mbretëresha po bën presion që të përjashtohen dokumentet e familjes së saj. Thuhet se ministrat kanë rënë dakord.