“Darka e Gabuar”, Kadare vlerësohet me çmimin e madh
Shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare vlerësohet me çmimin e madh të Letërsisë Shqiptare, për veprën e tij “Darka e Gabuar”. Romani i fundit i Kadaresë është përzgjedhur si vepra më e mirë e vitit që lamë pas, nga një juri e përbërë nga emra të njohur të letrave dhe kritikës shqiptare. Në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve për letërsinë shqipe të vitit 2008, Kadare është shprehur mjaft i kënaqur për vlerësimin që i është bërë veprës së tij, duke theksuar se ky është vlerësimi i vetë lexuesve. Ndërkohë, ministri i Kulturës Ylli Pango, është shprehur gjatë ceremonisë se akordimi i një çmimi të tillë, ka pasur për qëllim evidentimin e një vepre letrare, e cila i jep përveç të tjerash një ndikim të madh edhe zhvillimit të letërsisë bashkëkohore.
Juria e konkursit të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e kryesuar nga Mark Marku, ka akorduar dhe 7 çmime të tjera për letërsinë shqiptare. Kështu Prof. Artan Fugës i është dhënë çmimi “Gjergj Fishta”, për veprën e tij “Brirët e Dhisë”, çmimi i poezisë “Lasgush Poradeci” i takoi poetit Preç Zogaj dhe çmimi “Jusuf Vrioni” iu dha anglezit John Hodgson.
Me çmimin “Çajupi” është vlerësuar Jorgo Bulo, për “Veprën e plotë të Çajupit”, si një autor që me anë të studimit ose kritikës, që përgjatë një viti me veprën e tij ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare.
Pashk Gjeçi dhe Shpëtim Çuçkës, për përkthimin e “Fausti”-t të Gëtes, dhe shkrimtari Mehmet Kraja, për veprën “Selvitë e Tivarit”. Çmim tjetër ka qenë “Migjeni” që iu dha Albana Shalës, si një autore debutuese, i cila sipas jurisë, ka arritur të përcjellë tek lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar.
Sipas programit që ishte bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjatë kësaj ceremonie duhej të shpallej dhe një çmim për letërsinë më të mirë për fëmijë, çmimi “Mitrush Kuteli”. Vlerësim që nuk iu dha asnjërës prej propozimeve të paraqitura pranë jurisë. Sipas Markut, veprat që ishin prezantuar në konkurrim nuk përmbanin standardet optimale, për t’u vlerësuar me një çmim të tillë.
VLERËSIMET
-"Çmimi i madh i letërsisë", ju dha shkrimtarit Ismail Kadare për veprën e tij "Darka e Gabuar".
-Çmimi "Gjergj Fishta", ju dha Artan Fugës, me veprën "Brirët e Dhisë". Esea e tij u vlerësua se ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar.
-Çmimi "Faik Konica", ju akordua Jorgo Bulo me "Veprën e plotë të Çajupit", pasi me veprën e tij ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare.
-Çmimi "Fan Noli", ju dha Pashk Gjeçi dhe Shpëtim Çuçkës, për përkthimin e "Faustit" të Gëtes.
-Çmimi "Petro Marko" u fitua nga shkrimtari Mehmet Kraja, për romanin "Selvitë e Tivarit".
-Çmimi "Migjeni", u fitua nga autorja debutuese Albana Shala me veprën "Papa Dixhital".
-Çmimi "Lasgush Poradeci", iu dha për vëllimin poetik "Gjallë unë pashë", Preç Zogaj si përcjellës i risive dhe vlerave të reja në poezinë shqipe
-Çmimi "Jusuf Vrioni", u fitua nga përkthyesi John Hodgson, për kontributin e dhënë në promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja
Fuga, vlerësim për essenë “Brirët e dhisë”
Filozofi Artan Fuga u vlerësua me çmimin “Gjergj Fishta”, për veprën e tij “Brirët e Dhisë”. Juria e ka vlerësuar veprën e prof. Fugës si një vepër, që ka pasur një ndikim të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar.
Zogaj: Poezia ime, vazhduese e asaj të Poradecit
Preç Zogaj, ju dha çmimi “Lasgush Poradeci” me vëllimin “Gjallë unë pashë”, për risitë dhe vlerat e reja, që ka sjellë në poezinë shqipe. Zogaj është shprehur se ndihet mjaft i vlerësuar, të marrë një çmim me emrin e lirikut të madh, Lasgush Poradeci. “Poezia ime është vazhduese e poezisë së Poradecit dhe këtij libri mund të them se i shkon ky çmim”, është shprehur Zogaj.
Anglezi Hodgson, çmim për promovimin e letërsisë shqipe
Anglezi, John Hodgson është vlerësuar me çmimin “Jusuf Vrisoni”, për ndihmesën dhe kontributin e tij në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kultura të huaja. Ai është shprehur i emocionuar për çmimin dhe ka thënë se “veprat e autorëve shqiptarë janë mjaft të pëlqyera dhe në gjuhën angleze, madje më tepër ato kërkohen nga njerëzit, të cilët e njohin Shqipërinë, ndërsa për të tjerët duken si vepra ekzotike.”