E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, rreziku vjen nga Sllovenia

 

Bledar Hoti

Rrëzimi nga Parlamenti slloven i protokollit të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë shqe-tëson së tepërmi Aleancën. Nga përplasjet mes Sllovenisë dhe Kroacisë, ajo që e ka pësuar në këtë rast është Shqipëria, e cila është bllokuar në procesin e ratifikimit të protokollit nga Sllovenia, si vend anëtar i NATO-s. Pas rrëzimit nga Parlamenti slloven i dy marrëveshjeve të Kroacisë dhe Shqipërisë, mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i Jap De Hop Shefer ka thirrur direkt në Bruksel për bisedime, Ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, Ljubica Jelusiç. Agjencia sllovene, STA, citon burimet zyrtare nga qeveria të cilat kanë pohuar për mediat vendase në Lubjanë se “takimi Shefer-Jelusiç erdhi pasi Parlamenti nuk miratoi Protokollin për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO para Samitit të pritshëm në prill të këtij viti”. NATO shpreson se Sllovenia do të bëjë lëvizjet e duhura politike për të ratifikuar në parlamentin e saj anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë. Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve sllovene, STA, Jelusiç u shpreh se “Sllovenia javën e ardhshme është në pritje të disa lëvizjeve politike që do të mund të pasonin me mbajtjen e një seance parlamentare dhe shqyrtimin e miratimit të Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. Brenda dy javësh pritet që Parlamenti slloven të tentojë të përfshijë sërish votimin e dy protokolleve të NATO-s. Por, ministrja Jelusiç nuk përjashtoi edhe një referendum për këtë çështje, pas kontestit kufitar që ka Sllovenia me Kroacinë. “Nëse puna shkon deri tek organizimi i referendumit, të gjitha afatet do të tejkalohen. Shpresoj që të mos vijë puna deri te referendumi, por edhe nëse zhvillohet, rezultati do të jetë negativ. Në këtë rast, Sllovenia do të jetë e përulur para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Jelusiç. Nga ana e saj, Aleanca ka shprehur shqetësime që Sllovenia nuk do të arrijë të ratifikojë Protokollin për anëtarësim të dy vendeve ballkanike në NATO para samiti të prillit dhe para vizitës së parë të Presidentit amerikan Barak Obama në Evropë brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti. Ndërsa pritet që më 20 shkurt ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s të zhvillojnë në Krakovë të Polonisë një takim informal, përpara samitit të 4 prillit që do të mbahet në Strasburg të Francës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›