E Diel, 1 Nëntor 2026

Republikanët sfidë Obamës, lideri i ri një afro-amerikan

 

Partia Republikane amerikane ka vendosur t’i japë një fytyrë të re lidershipit të saj, duke imituar zgjedhjen demokrate me një lider të ri afro-amerikan. Komiteti Kombëtar republikan zgjodhi Majkëll Still, një afro-amerikan si kreun e ri të saj. Zgjedhja e Still, ish-guvernator i Maryland, do të thotë se tani të dyja partitë më të mëdha amerikane drejtohen nga liderë afro-amerikanë. Zgjedhja e Still konsiderohet historike pasi ai është kryetari i parë i zi i kësaj partie, e cila gjatë viteve të kaluara është akuzuar për dallime raciale gjatë përpjekjeve të formimit të koalicioneve politike. Still është ish-seminarist dhe ish-kunati i boksierit Majk Taison. Sipas analistëve amerikanë Still do të jetë një funksionar i pas kuintave, pasi republikanët tani janë jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe kanë minoritet si në Dhomën Përfaqësuese edhe në Senat. Ai nuk mund të jetë hë për hë një figurë dominuese. Por ai mund të bëhet i tillë pas katër viteve, gjatë zgjedhjeve të reja presidenciale në përballjen kundër Obamës. Shumë republikanë kanë komentuar se ata kanë zgjedhur Still, sepse ai ka prezencë të fortë publike dhe aftësi televizive. Vetë zoti Stil e ka bërë të qartë që nga momenti kur pranoi pozicionin pas gjashtë raunde votimi, se ai do të lëvizë me agresivitet për të mundur demokratët. “Është koha për diçka krejtësisht ndryshe dhe ne do ta sjellim këtë tek ju. Ne do ta sjellim këtë parti në çdo cep, në çdo tryezë, në çdo lagje, në çdo komunitet. Dhe ne do t’u themi miqve dhe armiqve të njëjtën ofertë: ‘Ne duam që ju të jeni pjesë e jona. Ne ju duam me vete, dhe ata që do të na pengojnë të bëhen gati sepse ne do t’i mundim”, tha lideri i ri gjatë fjalimit të tij inaugurues. Në tetor 2005 ai ishte në garë për t’u bërë senator i Maryland, por ishte mundur 54 për qind me 45 për qind nga kundërshtari i tij. Ndërsa nëntorin e kaluar kur Obama fitoi zgjedhjet presidenciale, ishte përmendur emri i tij si një kandidat i mundshëm dhe i volitshëm për garën e ardhshme për Shtëpinë e Bardhë, e cila sipas mandatit Kushtetues do të zhvillohet pas katër vitesh, ndërkohë që fushata zgjedhore nis një vit përpara zgjedhjeve në të gjitha shtetet amerikane. Por Still e kishte refuzuar idenë për të qenë në krye të republikanëve. Mbase duke menduar ngjyrën e tij. “Unë jam republikan thjesht për idetë e mia politike dhe veç kësaj jam edhe afro-amerikan”. Kthimi i entuziazmit dhe optimizmit mes republikanëve të mundur ndjeshëm në zgjedhjet e fundit do të jetë një detyrë shumë e fortë për liderin e ri Majkëll Still, edhe pse ai e ka nisur detyrën me mjaft entuziazëm dhe optimizëm që u vu re fare mirë nga fjalimi i tij ambicioz. Still është edhe avbokat dhe ka rënë më sy nga republikanët, pasi ka kritikuar politikat e presidentit Xhorxh Bush gjatë vitit 2006, por edhe gjatë fjalimit të tij të së premtes pas zgjedhjes si lider i ri i Republikanëve.

Obama me plan të ri ekonomik
Presidenti Barak Obama tha të shtunën se administrata e tij shumë shpejt do të dalë me një plan të ri ekonomik, i cili përfshin edhe lehtësimin e kredive për biznese dhe individë. Kjo është një nga masat që bën pjesë në paketën e re stimuluese të ekonomisë. Lideri amerikan ka paralajmëruar gjatë fjalimit të tij në radio dhe internet, se masat e reja do të publikohen nga sekretari i Thesarit, Tim Geithner. “Njëkohësisht me nisjen e krijimit të vendeve të punës, ne duhet të bindemi se tregjet tona janë të qëndrueshme, krediti është likuid dhe familjet mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha presidenti duke premtuar se “Ne do të ndihmojnë në uljen e kostove të hipotekave dhe kohëzgjatjen e huave për bizneset e vogla, në mënyrë që ata të kenë mundësi të krijojnë vende pune”, tha ai. Presidenti i ka bërë thirrje senatit të miratojë sa më shpejt planin e tij të stimulimit ekonomik, për ta vënë atë në përdorim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›