E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bujqësia dhe rrugët do të jenë prioritetet e mia në zonën elektorale

11/06/2005  Mustafa Muçi i kërkon kandidatit të PS-së në urë Vajgurore, Luan Memushi, të ndërpresë presionet

Kandidati i LSI-së në zonën 77, që përfshin Urën Vajgurore, shprehet në intervistën e dhënë për "Metropol", se duke u mbështetur në programin e LSI-së do të ndihmojë në zhvillimin urban të kësaj zone. Sipas tij, bujqësia dhe rrugët janë pikat kyçe, për të cilat ai do të japë kontributin, nëse fiton mandatin e deputetit.

Zoti Muçi, a i keni studiuar problemet e zonës ku do të kandidoni?

Zona 77 është një zonë që përfshin një pjesë të madhe të zonës rurale malore të rrethit të Beratit, por dhe bashkinë e Urës Vajgurore. Drejtimi kryesor, ku mbështetet kjo zonë, e ka në zhvillimin e bujqësisë dhe gjetjes së tregjeve të përshtatshme për shitjen e produkteve. Në Bashkinë e Urës Vajgurore ka një problem tjetër, si në të gjithë vendin, papunësia, mungesa e infrastrukturës dhe mungesa e prespektivës të të rinjve. Angazhimi im personal, si kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është i pashkëputur nga pjesa e angazhimit të përgjithshëm të kësaj force politike, në raport me problematikat kryesore të vendit dhe platforma elektorale e LSI-së u përgjigjet të gjitha shqetësimeve, jo vetëm të banorëve të zonës 77, por në të gjitha zonat rurale të vendit dhe për më tepër në zonat me vafrëri të jashtëzakonshme, siç është zona e Beratit. Ajo që unë personalisht jam angazhuar në vazhdimësi të kësaj fushate është që të bëj të qartë për të gjithë votuesit e zonës se LSI-ja është një alternativë që ofron zgjidhjen e një sërë problemesh, pasi filozofia e kësaj force politike është filozofi e angazhimit konkret në zgjidhjen e problematikave urgjente që ka sot fshati shqiptar. Problematika, të cilat kanë të bëjnë me mungesën totale të inftrastrukturës. Po t'i hedhim një sy hartës së zonës 77, do të vërejmë që mungojnë tërësisht rrugët dhe atje ku ka rrugë, janë në një gjëndje e cila të kujton fragmente të rrugve në mesjetë. Kjo zonë ka probleme me zhvillimin e infrastrukturës energjetike, ka probleme të mëdha të furnizimit me ujë të pijshëm, pra është një zonë që identifikohet me problemet e mbijetesës. Në këtë kuadër, LSI-ja ka angazhimin për të realizuar diçka konkrete në qeverisje. Sigurisht jep përgjigje për të gjitha këto probleme nëpërmjet rritjes së investimeve publike, nëpërmjet mundësive për të financuar projekte të infrastrukturës. Në këto zona nuk mund të flitet për projekte të zhvillimit bujqësor apo për strategji, pasi problemet më jetike janë ato të infrastrukturës. Qoftë në takimet e përditëshme që ne kemi në zonë, qoftë në angazhimt përballë mediave e kemi bërë të qartë se duhet t'i jepim një hov zhvillimit të fshatit, duke nisur që nga infrastruktura dhe duke vazhduar disa probleme jetike, të cilat janë të domosdoshme për të garantuar, jo zhvillim të bujqësisë, sepse është një shprehje shumë e madhe, por të sigurohet së paku mbijetesa e fermerëve. Zona është malore dhe sipërfaqja e tokës është e vogël, dhe është e rëndësishme që të garantohet mbijetesa e këtyre fermerëve. Politika të tilla kanë pjesë më fuksionimin e një pjese të kimikateve, që përdorin në bujqësi, të cilat kanë dhe ato një kosto më vete, ashtu sikurse bëhet fjalë dhe për heqjen përfundimtare të akcizës së karburanteve, i cili përdoret në bujqësi, si dhe një sërë masash të tjera si krijimi i pikave për grumbullimin e produkteve bujqësore në qendrat kryesore, ku këto prodhime janë me shumicë. Kushtet, në të cilat ndodhen banorët e këtyre zonave, të lënë pak hapësirë të flasësh për projekte të mëdha, apo të ardhme të ndritur, në një kohë që këta njerëz janë në kufijtë e mbijetesës. Nuk është problemi i angazhimit personal të dy ose tre deputetëve, pasi kjo zonë është riformuar me disa pjesë të tre zonave elektorale. Nuk është problemi a ka pasur angazhim të një deputeti, thelbësore është se në përgjithësi ka munguar angazhimi i qeverisjes, ka munguar interesi minimal për të nxjerë këto zona nga prapambetja në të cilën janë. Gjatë këtyre katër vjetëve, fatkeqësisht, është reflektuar një apati totale, një mungesë e rezultateve konkrete, siç po e tregon fushata kërkohet të mbulohet nga partia në pushtet me një demagogji, e cila menjëherë të krijon një bezdi aq të madhe kur përballesh me realitetin, sa të duket se njerëzit të propagandojnë atë që duket se jetojnë jashtë këtij realiteti.

Çfarë i premtoni elektoratit tuaj në këtë zonë, kur dihet se mbi 70 për qind e zonës nuk i përket asaj që ju keni kryesuar gjatë këtyre katër viteve?

E para, që duhet të theksoj, është se premtimet e mia qëndrojnë në kuadër të angazhimeve të LSI-së. Për mua, është shumë e rëndësishme të theksoj se nuk dua të bëj një fushatë ngritur mbi premtime demagogjike, mbi mashtrime etj., etj. E kam të vështirë t'ju them banorëve të kësaj zone se tani që doli LSI-ja dhe Mustafa Muçi po angazhohet si kandidat për deputet, hallet tuaja mbaruan, pasi ne do të regullojmë gjithçka, ujë, drita infrastrukturë, zhvillim të bujqësisë etj. Atë që unë kam garantuar dhe do t'i garantoj zgjedhësve të e mi është që do të siguroj që, nëpërmjet programit të LSI-së, të zgjidh një pjesë të madhe të shqetësimeve të përbashkëta të komunitetit të fermerëve. Me angazhimin tim politik premtoj se do të ushtroj presionin e nevojshëm mbi institucionet përkatëse, mbi qeverisjen qendrore, apo vendore për zgjidhejn e problemeve, të cilat realisht janë të përgjithshme. Zona 77 është një zonë që do një përkujdesje të vazhdueshme dhe jo të shkosh në takime një herë në vit, apo vetëm në fushata eleketorale. Unë premtoj se do të jem çdo ditë me hallet dhe shqetësimet e kësaj zone dhe nuk dua të jem në të njëjtën linjë me ata që me premtimet e tyre demagogjike që të krijojnë as më shumë e as më pak veçse neveri.

Si i vlerësoni kandidatët e partive të tjera në këtë garë elektorale?

Mendoj se është shumë e vështirë ta përcaktosh Partinë Demokratike si një forcë kundërshtare në këto zona, pasi janë zona që kanë votuar tradicionalisht për të majtën dhe kështuqë më duket simbolik kandidimi i PD-së në këtë zonë. Beteja elektorale do të jetë e përqëndruar midis LSI-së dhe PS-së, por ajo që unë konstatoj në zonë është se beteja elektorale nuk do të jetë midis Mustafa Muçit dhe kandidatit të PS-së, por midis Muçit, LSI-së dhe shtetit. Në këtë zonë nuk bëhët fjalë për angazhim të strukturave të partisë në pushtet për të përballuar fushatën siç duhet, por bëhet fjalë për një angazhim total dhe çmendurak të të gjitha strukturave shtetërore, që janë në varësi të Luan Memushit, i cili, fatkeqësisht, dhe për disa ditë të tjera do të mbajë postin e ministrit të Arsimit. Ka një presion të jashtëzakonshëm mbi të gjitha strukturat e arsimit në Berat, që nga fshati më i thellë dhe deri në Urën Vajgurore, apo dhe në qytetin e Beratit, për t'u angazhuar në një fushatë, ku kërkohet të merret një mandat për ministrin më të dështuar, që ka parë historia e arsimit në Shqipëri. Kjo është një fushatë në zonën 77 mes LSI-së dhe shtetit, i cili për shkak të frikës që ka për të humbur pushtetin, ka shkuar deri në marrëzi. Kandidati i PS-së është një figurë aq e degraduar në opinonin publik, sa nuk ja vlen të merrem me të. Memushi është përcaktuar në atë zonë nga strukturat e PS si Pali Miska i qeverisjes socialiste. Ndërsa herët e tjera është përcaktuar nga vetë Kryeministri aktual si një nga figurat më qesharake të qeverisjes socialiste. I bëj thirrje këtij ministri që, nëse ka mundësi, të heqi dorë nga metodat e presioneve, pasi është gjëja më paradoksale që mund t'u bëhet qytetarëve shqiptarë në këtë moment. Njerëzit kanë aq shumë halle, sa nuk kanë mundësinë të durojnë "memushët" apo "fatmirat" e Beratit, që vijnë vërdallë, duke u bërë presion mësuesve dhe drejtorëve të shkollave.

Bisedoi Marila Bejleri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›