E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dritë jeshile, Liverpuli në Champions

11/06/2005  Ditën e djeshme në një mbledhje të jashtëzakonshme, autoritetet e UEFA-s i kanë dhënë fund ankthit që persekutonte skuadrën e Rafael Benitez dhe tifozët e shumtë të saj. Kështu, Liverpulit i është ndezur drita jeshile, për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm, në kompeticionin e Ligës së Kampioneve, të cilin do ta nisë në turin e parë kualifikues. Ka qenë vetë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që ka marrë vendimin e ri, për të bërë ndryshime në rregullore, lidhur edhe me sezonet e ardhshme në Ligën e Kampioneve. Kjo do të thotë me fjalë të tjera që fituesit e këtij kompeticioni do të kenë të drejtën ekskluzive, për të mbrojtur trofeun e tyre, duke u kualifikuar në mënyrë automatike. Në të njëjtën kohë, numri i klubeve të lejuara në nivel shtetesh, do të mbetet i pandryshueshëm, duke u bazuar përsëri në koefiçientët e renditjes së përgjithshme. “Është bërë një përjashtim për sezonin e ardhshëm, ku Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ka vendosur t’i japë të drejtën, fituesit aktual të Ligës së Kampioneve, për të mbrojtur trofeun”-ka qenë kjo, deklarata e UEFA-s. Skuadra e Liverpulit e ka përfunduar në vendin e pestë, sezonin e kaluar në Premier Ligë, por tani në bazë të këtij rregulli të ri, do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm, në kompeticionin e rëndësishëm evropian. Pra, për sezonin tjetër, Federata Angleze e Futbollit do të përfaqësohet me pesë skuadra në Ligën e Kampioneve. Po ashtu, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që Liverpuli do t’i zhvillojë ndeshjet e para, në datat 12/13 dhe 19/20 korrik. Ndërkaq, shorti për raundin e parë kualifikues është planifikuar të zhvillohet më datë 24 qershor. Nga ana tjetër, nuk do të ketë ndryshime për skuadrat e tjera angleze, prej të cilave, Çelsi e Arsenal do të hyjnë direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, kurse Mançester Junajtid dhe Everton do të marrin pjesë në raundin e tretë kualifikues. “Ky ishte një vendim unanim, ka deklaruar shefi ekzekutiv i UEFA-s, Lars-Krister Olson. Unë mendoj se ishte me të vërtetë një vendim i mirë, sepse kjo rregullore kishte nevojë për disa ndryshime. Komiteti Ekzekutiv mori një vendim të drejtë për të ndryshuar rregulloren e pranimit në Ligën e Kampioneve. Kjo do të thotë që në të ardhmen, kampionët do të jenë gjithmonë në gjendje për të mbrojtur trofeun e fituar, pavarësisht nga pozicionimi në renditjen e kampionatit vendas. Për pasojë, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që t’i japë Liverpulit, mundësinë për të mbrojtur trofeun e fituar në sezonin e ardhshëm. Po ashtu në të ardhmen, nëse një shtet do të ketë mundësinë e kualifikimit të vetëm katër skuadrave për në Ligën e Kampioneve, atëherë skuadra fituese e këtij kompeticioni, ndonëse nuk është në pozicionin e duhur do të lejohet të marrë pjesë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›