E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Mbrojtja e investitorëve, garanci për të ardhmen

09/04/2010 Projektligji

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, vlerësoi si shumë të nevojshme ligjin e miratuar dy ditë më parë nga qeveria për mbrojtjen e investitorëve nga abuzuesit me pronat. Sipas Priftit, kjo nismë është përgjigje ndaj shqetësimeve të investitorëve, të cilët hasin probleme me çështjen e trojeve. "Me këtë rast ne eliminojmë dhe shumë abuzues, të cilët futen për të bërë biznes me titujt e pronësisë, krijojnë pengesa artificiale për një investim të huaj, për të përfituar disa para apo ndonjë lloj privilegji tjetër. Ky është një ndryshim ligjor i mirëpritur nga të gjithë investitorët e huaj në vend. Kalimi i tij në qeveri i jep përgjigje një sërë kërkesash të investitorëve dhe i garanton tashmë të gjitha investimet e huaja në Shqipëri që nuk do të ketë më probleme të pronësisë në investimet e tyre", deklaroi ministri Prifti. Në mbledhjen e dy ditëve më parë Kryeministri Berisha vuri në dukje se investitorët e huaj apo ata vendas tremben enkas nga qarqe të caktuara, sapo marrin vesh se ata kanë vendosur të hedhin para në një sipërmarrjeje. Nisur nga kjo, qeveria miratoi projektligjin që synon të mbrojë investitorët nga abuzuesit me pronat. Kryeministri Berisha përmendi se janë jo të pakta rastet kur për prona që nuk ka pasur pretendime më parë, sapo investitorët fillojnë punën, individë të ndryshëm i hedhin në gjyq me qëllim zhvatjen e parave. Pikërisht sipas projektligjit, shteti do të përballet me të ashtuquajturit abuzues me pronat, për të mbrojtur biznesin.

Qëllimi

Projektligji i ri detyron shtetin që të dëmshpërblejë të gjithë pretenduesit e rregullt të pronës që është futur në punë nga investitorët e juaj, por nga ana tjetër do të penalizojë të gjithë personat, të cilët tentojnë të abuzojnë me dokumente të falsifikuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›