E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Buka e përditshme" fut në sherr prodhuesit me Bashkinë e Patosit

Prodhuesit e bukës të Rrethit të Fierit janë përfshirë në sherr me autoritetet e policisë bashkiake në qytetin e Patosit. Debati mes tyre ka bërë që të ndërhyjë edhe policia e rendit, si dhe autoritetet e Shoqatës së Prodhuesve të Bukës. Shkak është bërë vendimi i Bashkisë Patos për të mos lejuar asnjë prodhues buke të Rrethit të Fierit për të hyrë në qytezën e vogël. Debatet kanë dy javë që kanë nisur, ndërkohë që ditët e fundit kanë degjeneruar deri në përdorimin e forcës. Përfaqësuesit e mjaft firmave të prodhimit të bukës në Rrethin e Fierit tregojnë për gazetën "Shqip" se që në orët e para të mëngjesit ata bëjnë shpërndarjen e bukës, por prej disa ditësh nuk janë lejuar të shpërndajnë produktet e tyre nëpër dyqanet e qytetit të Patosit. "Fillimisht, në mesin e muajit shtator nuk jemi lejuar nga policia bashkiake që të japim bukë te dyqanet me të cilët kemi më tepër se 15 vjet që kemi lidhur kontrata. Pas debateve të mesit të shtatorit policia e bashkisë së kësaj qyteze, duke përdorur edhe forma kërcënuese, arriti deri aty sa të na bënte pritë disa kilometra para hyrjes së qytetit, pikërisht në vendin e quajtur Kthesa e Patosit. Kjo që po bëhet është abuzimi dhe shpërdorimi më i rëndë i detyrës", thotë Aristidh Verria, përfaqësues i një firme të prodhimit të bukës.

Ndërkohë që prodhuesit pohojnë se është dashur ndërhyrja e policisë së rendit, për të shmangur që konflikti të degjeneronte në përdorimin e forcës. Ndërkohë që një prodhues tjetër buke akuzon se "Bashkia e Patosit po favorizon pronarin e një furre të re buke, i cili ka si synim të ndërtojë një rrjet dyqanesh buke". Akuza është pohuar dhe nga kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës për rajonin e Fierit, Kajo Hallka. Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, duke pranuar problemin e hasur me prodhuesit e bukës gjatë një konferencë për shtyp që është nxitur nga përplasja e mëngjesit të së premtes ka thënë se ka nxjerrë një urdhër ku kërkon shitjen e bukës në një dyqan të profilizuar vetëm për këtë artikull. Ndërkohë ai ka mohuar se në Patos po çelet një rrjet dyqanesh buke, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat për reagim të ashpër të policisë bashkiake.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›