E Diel, 1 Nëntor 2026

I akuzuari për Gërdecin kërkon dëmshpërblim për burgun

Ish-zyrtari i lartë Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, i dënuar për favorizim të firmave që tregtonin lëndë plasëse dhe i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, i kërkon Gjykatës së Tiranës një dëmshpërblim për burgun. Kërkesa është depozituar disa ditë më parë nga avokati i Madanit, ndërsa kërkon një shumë të majme për gjashtë muajt që qëndroi në burg, megjithëse nuk ishte dënuar në mënyrë përfundimtare. Gjykata e Tiranës e dënoi disa muaj më parë Shkëlzen Madanin me një vit e tetë muaj heqje lirie, i akuzuar për favorizim të firmave që tregtonin lëndët plasëse. Gjykata i hoqi të drejtën Madanit që edhe për një vit të mos ushtrojë asnjë veprimtari publike. Dosja në ngarkim të Shkëlzen Madanit, ish-kryetarit të Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil dhe të pandehurve të tjerë, përfaqësues ligjorë të shoqërive private, shkoi për gjykim në Gjykatën e Tiranës në muajin prill të këtij viti. Sipas organit të akuzës, të pandehurit ishin përfshirë në parregullsi ligjore në prodhimin, administrimin dhe kontrollin e lëndëve plasëse, që do të përdoreshin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Po sipas prokurorisë, ata janë përfshirë në afera korruptive me kreun e Komisionit në Ministrinë e Mbrojtjes, që mundësonte lejet e përdorimit të lëndëve plasëse për përdorim civil, për të siguruar leje për prodhim lëndësh shpërthyese, si edhe zgjatje kontratash me uzina ushtarake, ku siguronin lëndën plasëse. Arrestimi i katër personave është kryer në maj të vitit të kaluar, kur dy zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes u dyshuan se kishin pajisur jashtë rregullave me leje import-eksporti të lëndëve eksplozive për qëllime civile, të dyja këto firma private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›