E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasiguri në spital, bluzat e bardha ndërpresin shërbimin

Një hije e errët përshkon fytyrat e të gjithë kolegëve të mjekut të vrarë. Janë të shokuar nga krimi dhe nuk gjejnë fjalë për ta thënë atë që ndjejnë, përfshirë dhe pasigurinë për jetën. Vdekja ka ardhur e frikshme dhe andej nga nuk pritej. Nga një njeri që ishte shumë familjar për ambientet e tyre, pasi gruaja dhe motra e tij ishin pjesë e personelit mjekësor. Një krim për pasion, ulje të autoritetit mashkullor, xhelozi e sëmurë?! Askush nuk di ta thotë, por ata që e njihnin Liljanën dhe Fatmirin thonë se nuk mendojnë të ketë pasur ndonjë histori mes tyre, përveç ndonjë afrimi normal mes njerëzish që punojnë bashkë. I kontaktuar nga "Shqip" për ngjarjen e rëndë në spital, drejtori i këtij spitali, mjeku Neritan Myderrizi, ndërsa thotë se motivet e krimit nuk kanë të bëjnë me spitalin dhe punën e mjekëve, shprehet me dhimbje për humbjen e një kolegu dhe njeriu të nderuar siç ishte Thaçi. "Nuk ka si të kthehet normaliteti në spital, kur sapo kemi humbur një koleg e shok, një njeri të nderuar", thotë Myderrizi lidhur me situatën brenda spitalit, atje ku ndodhi vrasja. "Çdo ngjarje e kësaj natyre krijon pasiguri, kudo që të ndodhë jo më në një spital. Spitali është ambient publik dhe duke qenë i tillë nuk mund të mënjanohet hyrja e individëve me tendenca kriminale, po që nuk shfaqin dyshime te rojet e policisë private", vazhdon ai. Ndërkaq drejtuesja e Shëndetit Publik, Lida Boshku, shprehet e indinjuar për ngjarjen dhe situatën e krijuar te bluzat e bardha: "Ngjarje e pazakontë dhe e tmerrshme në pasojat e saj". Të gjithë mjekët dhe infermieret e kontaktuara në spital reagojnë ashpër ndaj krimit, ndërsa pohojnë se situata është dhe më e komplikuar nga sa duket. Përveç gruas së autorit dhe mjekut, që tashmë janë të dy të vdekur, pjesë e stafit të tyre është dhe motra e autorit, infermiere në spital. Ndërkaq një misionare e huaj që banonte me qira në njërin kat të shtëpisë së çiftit Lorja, pasi ka mësuar fatkeqësinë shprehet e trishtuar veçanërisht për fatin e fëmijëve të Liljanës dhe Aliut. "S‘di të them asgjë të keqe rreth tyre. Ata qenë aq të mirë e të dashur me ne", thotë ajo, ndërsa premton se do të lutet për këtë familje të shkatërruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›