Si u rrëmbye dhe u vra mjeku Behar Kastrati
"Kreu i degës së Partisë Demokratike të Hasit, mjeku Behar Kastrati, u zhduk mbrëmjen e 7 korrikut 2005, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare. Ai u rrëmbye para shtëpisë së tij, që ndodhej në qendër të qytezës së Krumës, pak minuta pasi ishte larguar nga lokali i të vëllait. Familjarët denoncuan zhdukjen të nesërmen, më 8 korrik. Hetuesit e çështjes ngritën një sërë pistash për rrëmbimin e mjekut, nga i cili nuk kishte asnjë shenjë. Kur kishte kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja e 38-vjeçarit, shpresat për gjetjen e tij të gjallë u shuan. Dhe për fat të keq, kjo ishte e vërteta e hidhur. Pasditen e 28 gushtit 2008, disa peshkatarë pikasën një trup të pajetë poshtë urës së Kolshit, në hyrje të qytetit të Kukësit. Nuk ishte asnjë dyshim se ishte zbuluar kufoma e Behar Kastratit. Viktima ishte vrarë më parë dhe më pas ishte masakruar. Për të mos dalë mbi ujërat e liqenit të Fierzës, autorët e kishin lidhur pas një shtylle me tela me gjemba. Trupi ishte dekompozuar, por dentisti që i kishte rregulluar dhëmbët, si dhe familjarët, arritën ta identifikonin. Hetimet për të hedhur dritë mbi krimin makabër që tronditi mbarë opinionin publik, Prokuroria e Krimeve të Rënda zhvilloi hetime intensive. Gjurmët e pakta të gjetura në vendin e ngjarjes, fakti që rrëmbyesit nuk kishin komunikuar me familjarët për të dhënë ndonjë sinjal të mundshëm, bënë që hetimet të vështirësoheshin. Megjithatë, pa kaluar as pesë muaj nga mbrëmja e 7 korrikut, në pranga përfunduan dy vëllezërit Qamil e Abedin Rexha, nga Hasi, me banim në fshatin Katund i Ri, në Durrës. Prokuroria deklaroi se dy Rexhajt ishin autorë të krimit makabër dhe për këtë kishin prova të mjaftueshme. Fillimisht u dyshua se Behar Kastrati u rrëmbye për motive politike, për faktin se nuk kishin kaluar as katër ditë nga zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Pas shumë hetimesh, prokuroria arriti në përfundimin se mjeku ishte vrarë për hakmarrje. Vdekja e Gani Rexhajt, vëllait të dy të pandehurve Qamil e Abedin Rexhajt, u cilësua si motiv i krimit makabër. Sipas organit të akuzës, dy vëllezërit Rexha bënin përgjegjës mjekun Kastrati për vdekjen e vëllait. Ditën kur Gani Rexha ka gjetur vdekjen në derën e spitalit të Krumës, Behar Kastrati ka qenë mjek roje, por nuk është gjetur në detyrë kur pacienti ka vajtur me urgjencë.