E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili i kërkon ndihmë Bashës: Na i ruani mjekët në detyrë

Pas vrasjes së mjekut radiolog në spitalin e Durrësit, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. Me anë të një deklarate publike, ministri Petrit Vasili i ka kërkuar dje kolegut të tij në Ministrinë e Brendshme, Lulzim Bashës, të ndërhyjë dhe të marrë masa, në mënyrë që mjekët të mos shqetësohen nga agresorë, të mos dhunohen e për më keq të aksidentohen me pasoja për jetën gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.

Në deklaratën e lexuar pak orë pas krimit nga zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet: "Ministria e Shëndetësisë dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar dhe tragjik të vrasjes së mjekut radiolog Fatmir Thaçi në mjediset e Spitalit Rajonal të Durrësit. Ministria i shpreh ngushëllimet me të ndjera familjes së doktorit Fatmir Thaçi për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe i ndodhet pranë në këto momente të vështira".

Më tej në deklaratën e ministrisë theksohet: "Sot është një ditë e rëndë për të gjithë komunitetin mjekësor, pasi një mjek goditet në mënyrë kriminale në momentin e ushtrimit të detyrës së tij. Ministria e Shëndetësisë i kërkon drejtësisë që të veprojë me të gjithë rreptësinë e ligjit ndaj autorit të këtij akti kriminal shumë të rëndë, që ka traumatizuar të gjithë opinionin publik dhe në mënyrë të veçantë komunitetin e gjerë mjekësor.

Po ashtu, shëndetësia i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit që të mbështesin intensivisht dhe të marrin masa të menjëhershme për garantimin e një sigurie të plotë për paprekshmërinë e mjekëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre", përfundon reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Tre vjet e gjysmë më parë, ish-ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, i kërkoi Ministrisë së Brendshme të merrte masa për të ruajtur personelin shëndetësor, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza". Sipas një marrëveshjeje, Ministria e Brendshme vendosi në dispozicion në spitalin "Nënë Tereza" një punonjës policie, i cili do të kujdesej për mbarëvajtjen e qetësisë brenda ambienteve të qendrës spitalore. Megjithatë, problemet nuk munguan edhe pas vendosjes së këtij shërbimi.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›