Vjedhjet, prokuroria "fal" nënën hajdute
Policia ka arrestuar një burrë të akuzuar për vjedhje lopësh, vepër penale të cilën e kishte kryer në bashkëpunim me të shoqen, por ka lënë të lirë këtë të fundit. Kjo ka ndodhur për shkak se ajo kishte fëmijë të vegjël në banesë, kështu që prokuroria ka vendosur ndjekjen penale të saj në gjendje të lirë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se dje u krye arrestimi i Skënder Dumit, 55 vjeç, pasi rezulton i dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera në zonën e Sharrës, që i ka realizuar në bashkëpunim me bashkëshorten. Rreth orës 20:00, ky person u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6, në afërsi të kthesës së Sharrës, pasi kishte vjedhur lopën e një personi në Sharrë. Pas hetimeve të kryera rezultoi se vjedhjen e kishte konsumuar në bashkëpunim me bashkëshorten, Thëllënxa Sulejman Dumi, 36 vjeçe, lindur në Peshkopi dhe banuese në Sukth të Durrësit, e cila menjëherë pas vjedhjes është kapur, por është liruar më pas. Nga veprimet hetimore dhe puna e bërë rezultoi se këta persona janë autorë edhe të tre vjedhjeve të tjera. Policia tha se pasi vidhnin lopët, çifti Dumi i transportonte ato me një automjet, tip "Dum-Dum". Ndërkohë, u bë sekuestrimi i automjetit dhe pas konsultimit me prokurorinë u vendos që Thëllënxa Dumi, të ndiqet në gjendje të lirë, për arsye të gjendjes familjare, pasi ka fëmijë të mitur për të ushqyer.