E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukuresht, rrëzohet koalicioni i socialdemokratëve

 

Koalicioni qeveritar rumun u rrëzua dje pas dorëheqjes së nëntë ministrave nga radhët e socialdemokratëve, në shenjë proteste për shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga kjo parti, pas komenteve për mashtrim zgjedhor. Sipas liderit socialdemokrat, Mircea Goana, ministrat dhanë dorëheqjen në shenjë solidariteti për Dan Nica, anëtar i kësaj partie i shkarkuar nga kryeministri Emil Boc të hënën, pas një deklarate për mashtrime të mëdha për zgjedhjet e ardhshme të 22 nëntorit. Lëvizja erdhi pasi presidenti rumun, Trajan Basescu, miratoi dje shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Nica. Socialdemokratët e koalicionit qeveritar kishin kërcënuar se do të largoheshin nga kabineti qeveritar nëse Basescu do të miratonte shkarkimin e Nicës. Dhe kështu ndodhi. Komentet e kryeministrit u interpretuan nga analistët vendas si një akuzë për liberal-demokratët e Boc-ut, se po përpiqen të mashtrojnë për të përfituar rizgjedhjen e presidentit Traian Basescu. Tani pritet që mijëra nga radhët e socialdemokratëve të humbasin postet e tyre në pozicionet kombëtare dhe lokale në të gjithë Rumaninë. Socialdemokratët fajësuan Basescun për nxitje të krizës politike, duke vlerësuar se ai ka krijuar paqartësi të mëtejshme në Rumani para procesit zgjedhor. “Hedhja e Rumanisë në këtë krizë politike do të ketë efekte të rënda”, paralajmëroi Nica, i cili ishte edhe zv.kryeministër. Ai tha se partia e tyre do të rikthehej në qeveri pas zgjedhjeve presidenciale. Basescu tha se Boc do t’i gjejë ministrat për të mbuluar vendet bosh në qeveri. Boc ka 45 ditë kohë për të paraqitur qeverinë e re dhe për të gjetur maxhoritetin parlamentar për ta miratuar atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›