Indonezi, godet tërmeti i dytë, mbi 1100 të vdekur, mijëra nën rrënoja
Mijëra të vdekur janë provokuar nga tërmeti i së mërkurës në ishullin indonezian, Sumatra, 1100 është numri i vërtetuar i viktimave, por mijëra të tjerë janë nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Shifrën zyrtare e ka konfirmuar Sekretari i përgjithshëm për çështjet humanitare në OKB, John Holmes. Pas tërmetit në Sumatra, Komisioni Evropian ka ndarë 3 milionë euro për ndihmat e para humanitare. Komisioni ka ndarë edhe 2 milionë euro për të ndihmuar viktimat e tajfunit Ketsana në Vietnam, Laos e Kamboxhia. Ishulli i Sumatrës dje u godit nga një tërmet i dytë i fuqishëm, më pak se 24 orë nga tërmeti i parë. Tërmeti i dytë e goditi tokën rreth 200 km në juglindje të qytetit të Padangut, ku po vazhdojnë operacionet e shpëtimit pas tërmetit të parë. Sipas mediave, nuk ka njoftime të deritanishme për viktima nga tërmeti i dytë, por ai goditi një zonë me popullatë të dendur. Sipas BBC-së, ekipet e shpëtimit po rrëmojnë me duar për të gjetur të mbijetuarit, sepse ende nuk kanë mbërritur të gjitha mjetet e nevojshme për të ngritur pesha të rënda. Tërmeti rrëzoi shtyllat e energjisë elektrik dhe dëmtoi rrugë, duke e bërë të vështirë që ndihma të arrijë në zonat më të prekura. Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë deri te numri i madh i atyre që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Por rrugët dhe linjat e furnizimit me energji elektrike dhe ato telefonike janë ndërprerë. Shumica e vdekjeve janë raportuar në qytetin Padang, ku të paktën 500 ndërtesa u rrëzuan nga tërmeti. Një spital, hotele dhe objekte shkollore ishin mes ndërtesave të shkatërruara në qytetin bregdetar me 900.000 banorë. Tërmeti i dytë i shkallës 6.8 Rihter që goditi dje pjesë të ndryshme të Sumatras, shkaktoi shumë panik te banorët. Qeveria e Indonezisë ka dërguar ekipe mjekësore dhe avionë ushtarakë për të ndihmuar me ekipet e shpëtimit dhe 10 milionë dollarë në ndihmë urgjente.