Mat, policia ngre padi për familjen e “transplanteve”
BURREL/ HASAN PASHA
Familja Katuçi nga Gurra e Matit nuk heq dorë nga zbardhja e të vërtetës rreth akuzës së bërë, se shtëpia e tyre ka shërbyer si klinikë për transplantin e organeve të ushtarëve dhe shtetasve serbë. Mersim Katuçi, djali i madh i Abdulla Katuçit vijon ecejaket Gurrë-Burrel-Tiranë për të kërkuar ndihmën e institucioneve shtetërore, në lidhje me akuzën e rëndë që i është bërë familjes së tij. “Ditët e fundit jam përpjekur të gjej një avokat, që mund të dërgojë çështjen tonë në Gjykatën Ndërkombëtare. Kam takuar dy ish-zyrtarë të lartë të Gjykatës Kushtetuese dhe më kanë premtuar mbrojtje deri në fund”. Ai këmbëngul se në këtë përpjekje titane kërkon ndihmën e shtetit. “Një gjë më habit. Është akuzuar Shqipëria si vend ku kryhen trafiqe e transplante dhe shteti hesht. Normalisht duhet të ngrihen në këmbë strukturat e larta të shtetit. Kjo nuk është thjesht një akuzë ndaj familjes sonë. Është një akuzë e rëndë e një shteti ballkanas ndaj vendit tonë”, tha Mersim Katuçi. “Më 6 gusht doli në televizion një zyrtar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë dhe deklaroi se asnjë i huaj nuk lejohet të hetojë në vendin tonë. Dy ditë më vonë erdhën në shtëpinë time disa të huaj, mes të cilëve dyshojmë se ishte edhe Dick Marty i KE-së, për të ushtruar një kontroll tjetër. Megjithë ndërhyrjen e policisë nuk lejuam që këta persona, pa asnjë lloj dokumenti të hyjnë në banesën tonë. Boll ishim tmerruar me kontrollet e mëparshme, ndërkohë këtë të fundit nuk e lejuam dhe për këtë nuk jemi pishman”, deklaroi Katuçi. Prej pesë vitesh Mersim Katuçi dhe babai i tij Abdullai kanë kërkuar sqarime dhe dokumente nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, në lidhje me ngjarjen në fjalë, por nuk u vihet në dispozicion asgjë. “Avokatët, - sqaron Katuçi, - na kërkojnë të plotësojmë një sërë dokumentesh, por ato nuk na vihen në dispozicion. Madje, vetëm pse nuk lejuam përfaqësuesit e Këshillit të Evropës të kontrollonin shtëpinë pa asnjë lloj autorizimi policia e Burrelit ka ngritur një padi kundër nesh, për t’na bërë presion të mos i shkojmë deri në fund zbardhjes së kontrollit të ushtruar në vitin 2004. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, as ndihmë financiare, thjesht po kërkojmë gjetjen e të vërtetës pse pikërisht një shtëpi në majë të malit, në Gurrë të Matit, përgojohet se paska qenë klinikë për transplantin e organeve njerëzore”, përfundoi Katuçi.