E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, ambasadori amerikan në shtëpinë e Musine Kokalarit

 

GJIROKASTER - Ambasadori SHBA në Tiranë Xhon Uidhers viziton shtëpinë e disidentes Musine Kokalari. Ndalesa e djeshme e vizitave të diplomatit amerikan në Gjirokastër ka qenë banesa e shkrimtares dhe intelektuales disidente Musine Kokalari në lagjen “Palorto”. Uidhers ka marrë kontakt me Mësuesin e Popullit Tajar Kokalari nipi i disidentes, shoqëruar edhe nga rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër Gëzim Sala. Ata kanë bashkëbiseduar gjatë për jetën e mundimshme të Musine Kokalarit, për të cilën ai tha se e ka adhuruar për idetë e saj demokratike. “Ajo është dënuar, burgosur, internuar dhe persekutuar nga regjimi komunist për shkak të mendimit politik dhe krijimtarisë së saj artistike kundër regjimit komunist dhe promovoi idenë e vet për një shoqëri të hapur demokratike”, u shpreh ambasadori i SHBA-së gjatë bashkëbisedimit me Tajar Kokalarin. Ky i fundit i tregoi diplomatit amerikan mjaft episode nga fëmijëria e Musinesë dhe shkëmbyen së bashku dhurata me libra të ndryshëm përfshirë edhe disa nga librat e shkruara dhe të botuara nga shkrimtarja disidente dhe intelektualja e shquar Musine Kokalari. Tajar Kokalari, 75 vjeç, i kërkoi ambasadorit që të interesohej në strukturat përkatëse që kjo shtëpi gjysmë e rrënuar, të restaurohej nga shteti dhe kjo do të ishte sipas tij një shenjë e respektit për veprën e saj. Duke vazhduar bashkëbisedimin në oborrin dhe mjediset e jashtme të shtëpisë, zoti Uithers hodhi idenë që jo vetëm restaurimi do të ishte një shenjë respekti, por kjo shtëpi mund të kthehej në një muze për disidencën dhe rezistencën antikomuniste. “Kjo është një shtëpi karakteristike impresionuese dhe unë mendoj se nëse familjarët disponojnë objekte të mjaftueshme personale të Musinesë, kjo mund të kthehet në shtëpi muze të saj, nëse ato nuk janë të mjaftueshme mund të kthehet në një muze për të gjithë disidentët që janë dënuar dhe persekutuar gjatë regjimit komunist”.       p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›