Panik në Prishtinë, mister sëmundja e nxënëseve
Në Qendrën Emergjente në Prishtinë, dje pasdite janë shtruar rreth 60 nxënës nga shkolla e mesme e Fushë-Kosovës, me simptoma të helmimit. Sipas “REL”, mes tyre ka edhe nxënës të një shkolle tjetër të fillores në po atë zonë, pranë Prishtinës. Në mbrëmje mediat e Prishtinës informuan se situata e nxënësve të shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani” dhe asaj fillore “Selman Riza” nga Fushë-Kosova është stabilizuar dhe askush nuk është në rrezik për jetën. Për shtrimin e tyre në spital kanë ndihmuar policia e Kosovës si dhe KFOR-i, pasi situata ka qenë emergjente. Pjesa më madhe e nxënësve ishte e moshës 14-16 vjeç, dhe të gjitha femra. Problemet kishin nisur një natë më parë, kur 18 nxënës të kësaj shkolle u shtruan në Klinikën Infektive, me simptoma të njëjta të helmimit nga ajri. Sipas “Express”, nxënësit kishin deklaruar se kanë ndier në klasa një aromë të pakëndshme, pak çaste para se t’u shfaqen problemet me frymëmarrjen dhe shtrëngimet në bark. Erza Zogiani, 16 vjeç, nxënëse e gjimnazit, ka treguar për “Express” se pak çaste pasi kanë ndier një erë të rëndë, ka parë shoqen e saj afër të bie përdhe. Për vete thotë se ndien pak djegie në fyt. “Në shkollë nuk kemi pi ujë, as s’kemi ngrënë ushqim... Mbrëmë ka pasur veç në ekonomik helmime, sot edhe në gjimnaz”, ka shtuar ajo. Mjekët në QKUK kanë deklaruar se ende nuk është vërtetuar se çfarë e ka shkaktuar helmimin e nxënësve, por dyshohet se helmimi është shkaktuar përmes rrugëve të frymëmarrjes. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të QKU-së, Jusuf Ulaj, më shumë se 50 nxënës janë dërguar vetëm dje në Qendrën Infektive. “Ata kanë të njëjtat simptoma, kanë probleme me frymëmarrje, shtrëngime në bark, dhimbje koke e plogështi dhe se tek të gjithë është vërejtur një ‘reagim kolektiv psikologjik’”, tha ai. Të helmuarve u është marrë gjaku për analiza. Kurse Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se inspektorët e saj kanë shkuar në shkollë dhe po marrin mostrat. Ulaj thotë se gjendja e tyre nuk është e keqe. “Nuk ka nevojë për panik”, ka thënë ai para gazetarëve. Edhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, pasi ka vizituar të shtrirët në spital, ka thënë se nuk ka nevojë për panik. Ai bëri të ditur se tashmë është formuar një konsilium i mjekëve, i cili pritet që brenda 3-4 orëve të dalë me një konstatim se për çka është fjala. Analizat toksikologjike, sipas Gashit, do të dërgohen edhe jashtë vendit, për të vërtetuar llojin e helmimit. Ministri i Shëndetit ka urdhëruar inspektimin sanitar në shkollën “Hivzi Sulejmani” dhe në shkollat e tjera të Fushë-Kosovës. Sipas “Express”, prindërit, të cilët janë mbledhur në korridoret e klinikës, shprehin drojën mos këto raste janë të ngjashme me helmimet misterioze të vitit 1989, gjatë masave të dhunshme serbe. Këtë dyshim të tyre e shton edhe më shumë fakti se në këtë shkollë mësojnë edhe serbë e nxënës të etniteteve të tjera. Por zyrtarisht, askush nuk flet për këto dyshime, megjithëse simptomat janë të ngjashme me atëherë.
Thirrje për përmbajtje
Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje “të gjithëve që të përmbahen nga përfundimet e gabuara që mund të sjellin panik e konfuzion në opinion” lidhur me rastin e nxënësve të sëmurë në Fushë-Kosovë. “Organet kompetente janë duke studiuar të gjitha shkaqet e sëmurjes së nxënësve”. Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Alush Gashi, pasi vizitoi nxënësit e sëmurë, ka kërkuar të mos bëhet panik. Ai tha se është ngritur një këshill i mjekëve, të cilët do analizojnë situatën dhe do të arrijnë në konstatimin se për çfarë është fjala. Gashi premtoi se analizat toksikologjike do të dërgohen dhe jashtë vendit. Rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.