E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto-Romano, Prifti: Vendi do eksportojë energji

 

DURRES - Shqipëria në 4-vjeçarin e ardhshëm do të dyfishojë kapacitetet energjetike. Vendi do të shndërrohet në një eksportues të fuqishëm orientim ky, që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike. Ky është premtimi që numri 1 i energjetikës, ministri Dritan Prifti bëri nga Porto-Romano, gjatë vizitës së tij në portin e karburanteve. Ai u shpreh se këtu do të hidhen nga investitorët afro 3-4 miliardë euro. Përsa i përket termocentralit me qymyr që kompania energjetike italiane ENEL pritet të ndërtojë në Durrës, Prifti deklaroi se: “Ai do të ngrihet vetëm pas certifikimit nga specialistët më të mirë të mjedisit në botë”. “Është një projekt, për të cilin Qeveria pararendëse ka hedhur shumë hapa. Ne nuk mund ta kthejmë prapa atë, pasi ne nuk mund t’i japim investitorëve mesazhe anulimi”, tha Prifti në takimin e Durrësit. Ministri garantoi mbështetjen maksimale të Qeverisë dhe të dikasterit të tij, përsa u përket investimeve energjetike. Gjatë takimit me përfaqësuesit e shoqërisë “Romano Port”, Prifti u informua gjerësisht për parametrat teknikë të këtij porti dhe çështjeve të tjera. Pontili aktual me gjatësi 1000 metra lejon vetëm shkarkimin e gazit metan, të benzinës dhe naftës. Ndërsa për qymyrin pritet të gjendet një tjetër zgjidhje. Sipas ministrit, në bregdetin shqiptar duhet të ngrihen porte të specializuara për kontejnerët, pasagjerët, karburantet, qymyrin, peshkimin dhe turizmin (jahtet). o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›