Bukuri poshtë veshjes katolike, Italia zgjedh "Miss Murgeshën"
ROME - Poshtë veshjes strikte katolike fshihet një bukuri e rrallë. Për të zbuluar këtë hijeshi, Italia ka vendosur të organizojë konkursin e bukurisë "Miss Murgesha", ku do të marrin pjesë murgeshat nga i gjithë globi. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike "Daily Mail", ku thuhej se At Antonio Rungi nga komuna Mondragone, në afërsi të qytetit të Napolit, ka organizuar një konkurs bukurie vetëm për murgesha. Konkursi ku pritet të marrin pjesë 1000 murgesha, u iniciua si nevojë për të luftuar stereotipet e femrave me besim, të cilat karakterizohen si të vjetra dhe jo tërheqëse. "Miss Murgesha 2008" nuk është një kërkesë e përcjellë nga vetë prifti, por kanë qenë vetë murgeshat, të cilat kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në një konkurs bukurie të zhvilluar posaçërisht për to. Nxitja ka qenë filmi "White Sister" në 1971 (Motra e bardhë), ku aktorja Sofia Loren, një nga femrat më të bukura të planetit interpreton rolin e një murgeshe. Në këtë konkurs bukurie, vajzat do të votohen në një adresë interneti me një kast fotografish. Vajzat kanë kërkuar që konkurrimi të bëhet me veshjen e tyre tradicionale dhe me kokë të pazbuluar, pasi bukuria e tyre e brendshme është imazhi që i karakterizon. At Rungi shpreson se një ditë, ky konkurs bukurie mund të zhvillohet si formati i Miss Italisë, ku vajzat mund të aktivizohen në performancat e ndryshme si këngë, kërcim etj.
(s.g/Balkanweb)