Vajza 17 vjeçare e Sara Palin, shtatzënë
Kandidatja republikane për zëvendespresidente e Shteteve të Bashkuara, Sara Palin, ka bërë të ditur se vajza e saj 17 vjeçare është shtatzënë. Adoleshentja Bristol do ta mbajë fëmijën dhe do të martohet me të dashurin e saj, bëri të ditur 44 vjeçarja Palin ndërkohë që bëri thirrje që të respektohet familja e saj.
Vetëm pak ditë pas emërimit në postin e zëvendëspresidentes në rast se republikani Xhon Mekejn fiton zgjedhjet për “Shtëpinë e Bardhë” më 4 nëntor, Guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin ka bërë të ditur se vajza e saj 17 vjeçare ka mbetur shtatzënë. Konservatorja 44 vjeçe, Palin deklaroi se vajza e saj 17 vjeçare Bristol ishte pesë muajshe shtatzënë dhe se do ta mbante fëmijën Ndërkohë që do të martohej së shpejti me të dashurin e saj. Guvernatorja e zgjedhur nga kandidati republikan për president Xhon Mekejn, nënë e pesë fëmijëve, kërkoi që të respektohej jeta private e familjes së saj. Në një deklaratë të publikuar në media, Sara Palin dhe bashkëshorti i saj bëjnë të ditur se Bristol dhe i dashuri i saj i ri në moshë do të martohen dhe do të kuptojnë së shpejti vështirësitë e rritjes së një fëmije dhe për këtë arsye do të ketë të gjithë mbështetjen e familjes. Këshilltarët e Mekejn bënë të ditur se ishin në dijeni të shtatzanisë përpara se guvernatorja Palin të merrte emërimin e republikanëve. (a.r/balkanweb)