Bukuria që vret kërcënon jetën e 30 mijë banorëve
27/01/2005
KUKES/ Dëbora nuk ka pushuar për asnjë moment që nga data 23 janar
KUKËS - Mbi 30 mijë banorë të zonave të thella të Kukësit, ku dëbora nuk rresht së rëni prej disa ditësh, jetojnë mes ankthit dhe frikës së shembjes së shtëpive nga dëbora e madhe. Dhjetëra stalla bagëtish tashmë janë shembur dhe rrezikohen shumë shtëpi nga dëbora që i kalon 1.5 metër trashësi. Ndërsa dje mësohet se është regjistruar rënia e parë e çatisë së një banese në fshatin Shëmri, por fatmirësisht pa shënuar viktima në njerëz. Burimet e shtabit të emergjencës dje kanë bërë të ditur se situata në të tre rrethet e Qarkut të Kukësit është vështirësuar mjaft nga dëbora, që nuk është ndërprerë së rëni që prej datës 23 janar. Trashësia e saj brenda në qytetin e Kukësit ka arritur tashmë në një metër e ndërsa në zonat e fshatrave të këtij rrethi i kalon 1.5 m. Ndërkohë që në zonat e thella të Qarkut të Kukësit që janë izoluar nga dëbora kanë filluar që të pakësohen dhe rezervat ushqimore.
Rrezik shembjet
Dëbora e rënë pa ndërprerje ka bërë që situata të rrezikohet seriozisht si në qarkullimin e automjeteve ashtu edhe në pasoja të tjera si aksidente automobilistike dhe shembje të banesave. Dje në komunën e Shëmrisë është shembur çatia e banesës së Naim Trunit nga dëbora e madhe, që në këtë fshat ka arritur një metër e gjysmë trashësi. Burimet sqarojnë se viktima nuk ka patur, ndonëse pesë anëtarët e familjes në fjalë janë lënduar psikologjikisht nga shembja e banesës së tyre në këto ditë dimri të egër. Dje kjo familje është strehuar te të afërmit e saj në Shemri, duke shënuar edhe ndërtesën e parë të shembur nga dëbora në këtë komunë. Ndërkaq, sipas kryetarit të komunës së Bushtricës, Shahir Sula, komunë kjo që ndodhet 30 km larg qytetit të Kukësit, bëhet e ditur se janë shembur dhjetëra stalla bagëtish, duke i dëmtuar ato, por dëme në njerëz nuk ka. Sipas tij, të gjithë banorët e kësaj zone ndjejnë rrezikun e shembjes së shtëpive nga dëbora e madhe, rreth 2 metër. Ndërkaq, Sula nënvizoi se rezervat ushqimore në këtë zonë janë drejt pakësimit, ndërsa bora vazhdon, duke mbajtur mbi 30 mijë banorë të komunave Qajë, Bushtricë, Ujmisht, Arrën, Shishtavec etj., të bllokuara plotësisht.
Në Kukës
Në qytetin e Kukësit dje dëbora rrëzoi edhe një karburant në dalje të qytetit, në aksin rrugorë Kukës-Morin. Burimet e shtabit të emergjencës nënvizuan se, pas apelit të bërë për të kontribuar në përballimin e situatës, Mak Albania, shoqëria ndërtuese e aeroportit të Kukësit, ka nxjerrë në terren tetë mjete të fuqishme borëpastruese, të cilat janë përqëndruar më tepër në akset nacionale që lidhin Kukësin me Kosovën dhe Tiranën. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në dy rrethet e tjera të Qarkut të Kukësit, në Has e Tropojë, ku trashësia e dëborës e kalon një metër. Burimet e shtabit të emergjencës nënvizuan se pothuajse edhe këto dy rrethe janë të izoluar nga dëbora dhe nuk mund të lidhen me Kosovën dhe qendrën e vendit, Tiranën.