E Diel, 1 Nëntor 2026

Schrëder: Faji? Të gjithë nga pak

27/01/2005  

“E keqja e ideologjisë naziste nuk erdhi ashtu, nga kërkund. Brutalizimi i mendimit dhe mungesa e pengesave morale kishin një histori”, tha Kancelari i Gjermanisë. “Një gjë është e qartë: Ideologjia naziste u mbështet nga njerëzit dhe u vu në veprim nga njerëzit”

Qeveria e koalicionit gjerman është gjendur përballë thirrjeve për të shpallur të jashtëligjshme Partinë Nacionaliste neonaziste të Gjermanisë (NPD), pasi shumë anëtarë të saj organizuan një marshim javën e kaluar gjatë kohës që mbahej një minutë heshtje për viktimat e holokaustit

Kancelari gjerman, Gerard Shrëder, përfitoi nga një ceremoni përkujtimore për çlirimin e Auschwitzit 60 vjet më parë për të deklaruar se edhe gjermanët e zakonshëm ishin përgjegjës për Holokaustin. Duke folur përpara një audience, ku të pranishëm ishin shumë të mbijetuar të Auschwitzit, Shrëder tha se tmerret e kampit të përqëndrimit nuk mund të shpjegoheshin thjesht, duke ia vënë fajin “demonit Hitler”.

“E keqja e ideologjisë naziste nuk erdhi ashtu, nga kërkund. Brutalizimi i mendimit dhe mungesa e pengesave morale kishin një histori”, tha Kancelari i Gjermanisë. “Një gjë është e qartë: Ideologjia naziste u mbështet nga njerëzit dhe u vu në veprim nga njerëzit”.

Ky pranim shumë i guximshëm i një kryetari shteti gjerman erdhi në një moment kur të gjithë udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Poloninë fqinje për të përkujtuar 60-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit sot, si dhe mes konfuzionit që mbizotëron sot në Gjermani, për mënyrën se si duhet përballuar e djathta ekstreme në ngritje.

Qeveria e koalicionit gjerman është gjendur përballë thirrjeve për të shpallur të jashtëligjshme Partinë Nacionaliste neonaziste të Gjermanisë (NPD), pasi shumë anëtarë të saj organizuan një marshim javën e kaluar gjatë kohës që mbahej një minutë heshtje për viktimat e holokaustit.

Gerard Shrëder ndërmori një sulm me këtë rast kundër ekstremistëve të krahut të djathtë, duke deklaruar se Gjermania ende nuk kishte parë fundin e antisemitizmit. Gjermania ka një detyrim moral që të mbajë gjallë kujtimin e krimeve naziste dhe Shrëder u bëri thirrje gjermanëve që të mbeten vigjilentë, në mënyrë që tmerret e Auschwitzit të mos përsëriten më kurrë.

“Nuk mund të mohohet që antisemitizmi vazhdon të ekzistojë”, tha ai. “Luftimi i tij është detyrë e të gjithë shoqërisë. Antisemitët nuk duhen lejuar kurrë të kërcënojnë ose lëndojnë qytetarët hebrenj, jo vetëm në vendin tonë – duke bërë kështu me turp kombin tonë”, tha Kancelari gjatë ceremonisë zyrtare përkujtimore të Gjermanisë të përvjetorit, organizuar nga Komiteti Ndëkombëtar i Auschwitzit.

E djathta neonaziste gjermanë ka gëzuar gjithmonë një farë mbështetjeje, por tani ajo duket se është më e mirorganizuar dhe më profesioniste. Javën e kaluar, udhëheqësi i NPD, Holger Apfel, tha përpara parlamentit të Saksonisë se Britania dhe aleatë të tjerë perëndimorë kishin qenë “vrasës në masë” gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ata kishin shkaktuar një holokaust gjermanësh, duke bombarduar qytetin, tha ai. NPD shënoi një rezultat të paprecedentë zgjedhor në shtatorin e kaluar, duke fituar 9 për qind të votave dhe 12 vende në Parlament. Dje, Kancelari gjerman u bëri thirrje të gjithë partive që të luftojnë “nazistët e rinj dhe të vjetër”.

Ai gjithashtu u kujtoi gjermanëve se kishin një përgjegjësi të veçantë për Holokaustin – ndonëse pjesa më e madhe e gjermanëve që janë sot gjallë nuk kanë aspak faj. Pas ceremonisë përkujtimore, një udhëheqës i lartë i komunitetit hebre akuzoi evropianët se po përpiqen të harrojnë të kaluarën. Israel Singer, kreu i Kongresit Botëror Hebre, lëshoi edhe një sulm indirekt ndaj Princit të Britanisë, Harry, pasi ky i fundit ishte shfaqur në një festë me kostum nazist.

“Ndërkohë që apologjetë ankohen për lodhjen e Holokaustit, mohuesit zhvillojnë forume të hapur për të përhapur gënjeshtrat e tyre. Po përjetojmë një mungesë të thellë ndjeshmërie të Evropës ndaj Holokaustit, veçanërisht nga ana e brezit të ri. Dhe nganjëherë kjo ndodh edhe mes familjeve më të rëndësishme”, tha ai.

Pjesa më prekëse e përkujtimit, që u mbajt në Teatrin e Berlinit, ishte kur dy të mbijetuar të Auschwitzit sollën kujtimet e tyre për atë që ndodhte në kampet e vdekjes.

Në fjalimin e tij, Kancelari theksoi faktin se Gjermania kishte tashmë një komunitet hebre të lulëzuar, i treti për nga madhësia në Evropë. Por ai shtoi: “Kjo nuk e ndryshon faktin që këto kujtime i përkasin identitetit tonë kombëtar”. "Në varrezën më të madhe Aushvic prehen polakë, sinti dhe romë, rusë, gra e burra të rezistencës nga të gjitha vendet e botës. Asnjëri prej tyre nuk ka një gur përkujtimor. Nazistët donin që ata të harroheshin. Ne kemi detyrim që kjo të mos ndodhë".

Kujtimi ndaj krimeve të nacionalsocialistëve është një detyrim moral, theksoi edhe Kancelari Gerhard Shrëder. Nuk është e vetëkuptueshme që më kanë ftuar në këtë ceremoni përkujtimore, tha Shrëder. Sipas tij, gjermanët do të bënin mirë të heshtnin në sfondin e krimit më të madh të njerëzimit: "Unë shpreh turpin tim përpara të vrarëve dhe përpara atyre që i kanë mbijetuar ferrit të kampit të përqëndrimit. Shelmno, Belcek, Sobibor, Treblinka, Maidanek dhe Aushvic-Birkenau këto emra do të mbeten përjetësisht të lidhur me historinë e viktimave, por edhe me historinë evropiane dhe atë gjermane. Ne e dimë këtë. Ndaj e mbajmë këtë barrë me dhimbje, por edhe me përgjegjësi serioze".

Izrael Singer, kryetar i kongresit botëror të hebrejve, vuri në dukje faktin që në një anketim të fundit zhvilluar në Britaninë e Madhe pothuajse gjysma e të pyeturve nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Aushvicin: "Muzetë, konferencat dhe monumentet për Holokaustin vizitohen kryesisht prej politikanëve dhe hebrejve, apo miqve të tyre. Shumica e njerëzve në të kundërt mbeten të painofmuar. Ka ardhur koha që Holokasuti të çlirohet prej kësaj getoje". Si përfaqësues i brezit të ri foli 21-vjeçari Artur Brozovski, student në qytetin e vogël jugor të Polonisë, Osvjecim, që në gjermanisht u quajt Aushvic, sipas emrit të kampit të shfarrosjes në masë: "Atdheu im është Osvjecim, vendi, ku ka ndodhur katastrofa më e madhe e njerëzimit. Shpesh njerëzit më pyesin nëse më shqetëson fakti që përreth meje jehon vetëm historia. Por nëse jehona e saj nuk do të degjohej, ne mund të kishim frikë për të ardhmen tonë. Ajo na shërben ne si një pasqyrim negativ për një të nesërme më të mirë".

Gjyshi i studentit Brozovski ishte i dënuar në Aushvic, gjë që e motivoi të nipin të mësojë gjermanishten dhe të angazhohet për pajtimin. Dëshira e fortë e të gjithë referuesve ishte që brezi i ri ta mbajë të gjallë kujtimin për tmerrin e Aushvicit. Joshja e harresës dhe ndrydhjes është e madhe, por ne nuk do të biem pre e saj, tha shprehimisht Kancelari Shrëder në ceremoninë përkujtimore me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit në Aushvic.

Kujtesë e përjetshme

Dita përkujtimore e Holokaustit, që do të përkujtohet sot për të pestin vit radhazi në Poloni, në vendndodhje dhe vende të tjerë, u zgjodh të përputhej me çlirimin e Auschwitzit nga Ushtria eKuqe më 27 janar 1945. Asnjë emër tjetër nuk mund të evokojë kaq lehtësisht asgjësimin e 6 milionë hebrenjve – viktimat kryesore të genocidit nazist. Gjashtëdhjetë vjet më pas, Auschwitzi po kalon nga kujtesa në histori, pasi numri i të mbijetuarve vjen duke u pakësuar, por megjithatë ekziston një injorim dhe indiferencë alarmuese në lidhje me të, veçanërisht midis brezit të ri. U deshën të kalojnë dekada, përpara se të mësohej realisht madhësia e tmerreve që kishin ndodhur aty. Por sot, nuk duhet të ketë rezervime për ta vendosur kampin e vdekjes në qendër të mënyrës se si ne mbajmë mend luftën që dha formë Shekullit XXI – ose për ta fiksuar atë në mendje si një moment të vetëm dhe të zgjatur të mizorisë së njeriut ndaj njeriut.

Shkalla dhe qëllimi i “zgjidhjes përfundimtare” të Hitlerit dhe numrat e autorëve të krimit, vazhdojnë ta bëjnë unik Holokaustin, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të eklipsojë të këqijat e Kamboxhias apo Ruandës, apo masakrën genocidiste të myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. Holokausti ndodhi gjithashtu shumë pranë shtëpisë: parizienët i kushtuan një memorial 72 mijë hebrenjve francezë që u mblodhën dhe transportuan me kamionë bagëtish për në dhomat e gazit dhe krematoriumet polake; në Berlin, Gerhard Shrëder, Kancelar i Gjermanisë, shprehu se ndihej i turpëruar që Hitleri dhe njerëzit e tij kishin gëzuar mbështetje kaq të gjerë. Evropa dhe të gjithë kontinentet duhen ndërgjegjësuar që, për të mos u përsëritur, edhe pas shuarjes së atyre pak të mbijetuarve, ngjarje të tilla duhet të mbeten në kujtesë të përjetshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›