E Diel, 1 Nëntor 2026

Zanatçinjtë, punë të pasigurt

27/01/2005  Ministri Bejtaj: Pjesa më e madhe e të papunëve me 8-vjeçare dhe pa asnjë profesion

Në Tiranë qarkullojnë më shumë nëpunësit, në rrethe punëtorët e fabrikave

Dy vitet e fundit, firmat private kërkojnë punonjës më të aftë profesionalisht, ndërkohë që qarkullimi i punëtorëve nga një punishte në tjetrën vazhdon.

Dje në konferencën “Analiza e Tregut të Punës dhe nevojave për aftësi”, u analizuan dhe u studiuan nevojat e formimit profesional. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, përfaqësues të KE-së, të partnerëve socialë, ekspertë të tregut të punës etj. Sipas ministrit Bejtaj, është e domosdoshme që të fuqizohet arsimi profesional, pasi shumica e të papunëve në Shqipëri janë me arsim 8-vjeçar dhe nuk zotërojnë një profesion. Mbi 60 për qind e të papunëve janë me arsim 8- vjeçar dhe pa profesion. Për këtë qëllim, tha ministri, këtë vit do të vihen në funksionim dy qendra të mëdha të formimit profesional, në Elbasan dhe Fier.

Qarkullimi i punëtorëve

Në shumicën e rajoneve, punëdhënësit kanë raportuar ndryshime në shpërndarjen e fuqisë së tyre punëtore. 20 për qind e subjekteve të intervistuara në 5 rajone kanë raportuar një qarkullim personeli më të madh nga ç’pritej. Kur në një rajon tjetër, 27 për qind e subjekteve kanë raportuar një qarkullim personeli më të ulët nga ajo që pritej. Qarkullimi është më i lartë te profesionet elementare dhe punëtorët zanatçinj. Ndërsa në rajonin e Tiranës është raportuar një qarkullim i lartë i profesioneve të nëpunësve të mesëm dhe të lartë.

Aftësitë profesionale

Mbi 80 për qind e subjekteve në të gjitha rajonet, kanë raportuar rritje të kërkesave për aftësi gjatë dy viteve të fundit. Ndërmarrjet janë të ndërgjegjshme për rëndësinë e aftësive, por vetëm një pjesë e tyre e konsiderojnë fuqinë punëtore si pikën e tyre më të fortë. Profesionet më të vështira për t’u plotësuar janë në rrobaqepësi si: makinist, modelist, prestar, mekanik i mirëmbajtjes së makinave qepëse. Në këpucari: qepës këpucësh, qepës këpucësh me dy gjilpëra, mbyllës këpucësh. Kështu, rekomandimet e dhëna kompanitë shqiptare duhet të nxiten dhe të ndihmohen për zgjerimin e bazës së klientëve të tyre dhe për prodhimin e mallrave me cilësi, të cilat mund të shiten në një treg më të gjerë. Studimet cilësore të tegut të punës duhet të kryhen çdo dy vjet. Duhet të krijohen organizma në nivele kombëtare, rajonale dhe bashkiake, të cilat të sigurojnë që përfundimet e studimeve të tregut të punës të pasqyrohen në kurrikula. I gjithë ky sistem synohet të zhvillohet dhe të përshtatet me sistemet e BE, duke krijuar mundësinë që punëtorët shqiptarë të kualifikohen dhe të përshtaten me nevojat e tregut lokal dhe ndërkombëtar të punës. Ky studim do të shërbejë si pikënisje për të reformuar tërësisht sistemin e arsimit dhe formimit profesional në vendin tonë.

Studimi

Qëllimi ka qenë është studimi i këtij tregu, përcaktimi i nevojave aktuale dhe perspektive të tij, për të patur mundësi të krijohet një sistem i formimit profesional, të orientuar nga tregu i punës për të realizuar një punësim, të sigurt e të vazhdueshëm. Kjo analizë, do të shërbejë për hartimin e standardeve të profesioneve, kualifikimeve dhe kurrikulave përkatëse. Duke i paraprirë zhvillimit të kurrikulave të reja për profilet e profesioneve të kërkuara në tregun shqiptar të punës, ekipi i analizës së tregut të punës pranë Projektit te CARDS-AFP “Mbështetje për Reformën në Arsimin dhe Formimin Profesional” drejtuan veprimtarinë e mbledhjes së të dhënave cilësore, lidhur me pjesëmarrjen e punëdhënësve, për mangësitë e aftësive profesionale në tregun e punës. Analiza e tregut të punës u realizua nëpërmjet rreth 600 intervistave në ndërmarrje e kompani në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Në të gjitha rajonet në përgjithësi, nga 75 për qind deri 98 për qind të subjekteve të intervistuara kryejnë vlerësimin e aftësive të punonjësve të tyre. Por numri i ndërmarrjeve të intervistuara që kryejnë asnjë vlerësim sistematik të aftësive të personelit të tyre është shumë i vogël. Dhe atje ku bëhet vlerësimi i aftësive, ka një evidencë shumë të madhe në drejtim të rritjes së produktivitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›