E Diel, 1 Nëntor 2026

Orteku i rrezikon jetën prefektit

27/01/2005  

Qafë-Mali – Shëmri, 12 orteqe dje në aksin rrugor

KUKËS – Njëri nga 12 orteqet e rëna gjatë ditës së djeshme në segmentet rrugore që lidhin Kukësin me Tiranën, ka rrezikuar seriozisht jetën e prefektit të Qarkut të Kukësit, Shaqir Shehu, gruas dhe shoferit të tij. Të tre këta persona kanë qenë duke lëvizur me makinën tip Fuoristradë të kreut të Prefekturës kur janë përfshirë në një aksident, si pasojë e rënies së një orteku. Dalja jashtë rruge nuk ka qenë fatale për të tre personat, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që burime nga prefektura e Kukësit bëjnë të ditur për “Metropol” se “dje në orët e pasmesnatës e deri në mëngjes janë shënuar 12 orteqe që kanë rënë në gjatësinë e segmentit rrugorë Qafë Mali-Qafë Shllak, duke bllokuar plotësisht këtë segment që lidh Kukësin me Tiranën”. Për pasojë, mbi 40 automjete kanë mbetur të bllokuara gjatë gjithë natës deri në orët e drekës së ditës së djeshme.

Pikërisht, mes 40 makinave të bllokuara në segmentin rrugor Qafë-Mali–Qafë Shllak ka qenë dhe makina e prefektit të Kukësit, Shaqir Shehu, i cili udhëtonte me bashkëshorten e tij nga Tirana për në Kukës. Masive të mëdha dëbore që kanë rrëshqitur nga sipër rrugës kanë rrezikuar seriozisht të gjitha automjetet që lëviznin drejt Kukësit. Madje, burime konfidenciale sqaruan se orteku që ka rënë në afërsi të Qafë Shllakut ka marrë me vete edhe fuoristradën e prefektit Shehu, duke e hedhur dhjetëra metra poshtë rrugës. Për pasojë është lënduar në pjesët e kokës shoferi i tij, ndrësa Shehu me bashkëshorten kanë pësuar gërvishtje të lehta. Presioni i ajrit, që vjen më përpara se masivi i dëborës, ka bërë që makina e prefektit, e cila ishte e para në autokolonë të fluturojë në mënyrë të menjëhershme poshtë rrugës. Fatmirësisht, dëbora e madhe me sa duket ka ruajtur dëmtimin e makinës kështu prefekti Shehu me bashkëshorten janë dëmtuar lehtë, ndërsa shoferi ka patur një gërvishtje në anën e djathtë të kokës pa rrezik për jetën, sqarojnë burime pranë stafit të prefektit të Kukësit. Ndërkaq, menjëherë janë nisur disa mjete borëpastruese nga Kukësi, por edhe nga Puka të shoqëruara edhe nga forca të shumta të policisë rrugore, të cilat kanë zhbllokuar rrugën dhe dje rreth orës 13 prefekti Shehu së bashku me bashkëshorten dhe shoferin kanë mbërritur në spitalin e Kukësit, duke lënë mjetin e tyre në humnerë, në pamundësi për ta nxjerrë në rrugë. Burimet spitalore nënvizuan se gjendja e tyre shëndetësore ishte jashtë çdo rreziku. Edhe shoferi, i cili ishte dëmtuar në pjesën e kokës është mjekuar nga vetë Shehu në rrugë, pasi ai është mjek ortoped me përvojë 30-vjeçare dhe në spital kanë marrë vetëm disa mjekime të vogla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›